Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kritikoi një flotillë ndihmash të kapur në Gaza nga ushtria izraelite, duke thënë se misioni i aktivistëve dhe një grevë e thirrur në mbështetje të tyre në Itali nuk do të bënin asgjë për të ndihmuar palestinezët.
Forcat izraelite i kanë hipur në dhjetëra anije që transportonin qindra aktivistë, përfshirë rreth 40 italianë, ndërsa ata u përpoqën të shkelnin një bllokadë detare të Rripit të Gazës.
Sindikatat italiane thirrën një grevë të përgjithshme për të premten në solidaritet me flotillën, ndërsa protesta shpërthyen në një numër qytetesh pasi u përhap lajmi vonë të mërkurën se anijet po ndaleshin.
Megjithatë, Meloni mbajti një qëndrim kritik ndaj anijeve të ndihmës. Duke folur me gazetarët në një takim të Bashkimit Europian në Danimarkë, Meloni tha: “Padyshim, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që këta njerëz të mund të kthehen në Itali sa më shpejt të jetë e mundur. Unë vazhdoj të besoj se e gjithë kjo nuk i sjell asnjë përfitim popullit palestinez”.
Duke folur për grevën e përgjithshme të planifikuar, ajo tha: “Do të kisha pritur që të paktën për një çështje kaq të rëndësishme ata nuk do të kishin thirrur një grevë të përgjithshme të premten, sepse një fundjavë e gjatë dhe revolucioni nuk shkojnë bashkë”.