Kryeministri Hristijan Mickoski, duke folur për ngërçin në rrugën evropiane për shkak të vetos së Bullgarisë, me tone të ashpra kritikoi ish ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Sipas Mickoskit, Osmani është fajtori kryesor i cili, duke negociuar për identitetin maqedonas, sjellë vendin në situatë që të mos mundemi t’i fillojmë negociatat.
“Për fat të keq, atë e ka bërë një ministër në të kaluarën. Ka negociuar për identitetin tim maqedonas dhe ka bërë gabim dhe nëse mendon se atë do ta harrojmë, gënjehet. Ne do të gjejmë mënyrë, do të ndërtojmë besim dhe do ta zgjidhim këtë. Nëse kjo gjeneratë ose ndonjë e ardhshme. Ajo do të mbetet në memorien kolektive se çfarë dëmi bëri ai njeri identitetit dhe popullit maqedonas me mosrespektim. Nëse ai nuk e respekton fqinjin e tij, atëherë ai nuk e respekton as familjen e tij, as popullin e tij. Atë problem që ai e ka bërë, sot na ka sjellë në kësi situate që prej kampionë në rajon, do ta thotë dhe në Evropë, të mos mundemi të fillojmë ende bisedime me Bashkimin Evropian”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.