Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha të mërkurën se do t’i bashkohet Italisë në dërgimin e një anije ushtarake për të mbrojtur një flotë ndërkombëtare që po synon të dërgojë ndihma në Gaza, pasi ajo u sulmua me dronë afër Greqisë.
Sanchezi tha në një konferencë për gazetarë në Nju-Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se qytetarë të 45 shteteve ndodhen në anijet që janë nisur për t’i dërguar ushqim popullsisë së Gazës dhe për të shprehur solidaritet me vuajtjet e tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Qeveria e Spanjës këmbëngul që e drejta ndërkombëtare të respektohet dhe e drejta e qytetarëve tanë duhet të respektohet për të lundruar nëpër Detin Mesdhe në kushte të sigurta” – tha ai.
“Nesër ne do të nisim një anije detare nga Cartagena me të gjitha burimet e nevojshme në rast se është e nevojshme për t’i asistuar flotës dhe për të kryer një operacion shpëtimi” – njoftoi kryeministri spanjoll.
Flota “Global Sumud” po përdor rreth 50 anije të vogla civile në përpjekje për ta thyer bllokadën detare të Izraelit ndaj Gazës. Në to ndodhen shumë avokatë dhe aktivistë, përfshirë aktivisten e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg.