Kryeministri i Spanjës kërkon që Izraelit t’i ndalohet pjesëmarrja në gara sportive - Gazeta Express
string(82) "kryeministri-i-spanjes-kerkon-qe-izraelit-ti-ndalohet-pjesemarrja-ne-gara-sportive"

Lajme

Gazeta Express

15/09/2025 22:23

Kryeministri i Spanjës kërkon që Izraelit t’i ndalohet pjesëmarrja në gara sportive

Lajme

Gazeta Express

15/09/2025 22:23

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka bërë thirrje të hënën që Izraeli të përjashtohet nga ngjarjet sportive, një ditë pasi aktivistët propalestinezë ndërprenë në mënyrë kaotike përfundimin e garës së çiklizmit Vuelta në Madrid.

Ministri i Jashtëm i Izraelit reagoi duke e quajtur Sanchezin “antisemitik dhe gënjeshtar”.

Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar javët e fundit, pasi Qeveria e majtë spanjolle shprehu mbështetje për protestuesit që ndërprenë disa etapa të Vueltës, përfshirë edhe atë përfundimtare të së dielës në Madrid, për shkak të pjesëmarrjes së një ekipi izraelit.

Duke folur para anëtarëve të partisë së tij socialiste, Sanchez tha se Izraeli, ashtu si Rusia, nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në sporte ndërkombëtare për shkak të fushatës ushtarake në Gazë.

“Organizatat sportive duhet të shqyrtojnë nëse është etike që Izraeli të vazhdojë të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Pse u përjashtua Rusia pas pushtimit të Ukrainës dhe nuk po përjashtohet Izraeli pas pushtimit të Gazës?” tha Sanchez.

“Derisa të ndalet barbaria, as Rusia dhe as Izraeli nuk duhet të jenë në asnjë garë ndërkombëtare”, shtoi ai.

Sanchez foli një ditë pasi gara finale e Vueltës u ndërpre kur protestuesit propalestinezë, kundërshtarë të pjesëmarrjes së ekipit izraelit, Israel Premier Tech, hodhën barriera në rrugë dhe u përplasën me policinë pranë vijës së finishit.

Autoritetet thanë se dy persona u arrestuan dhe 22 u lënduan lehtë.

Qeveria spanjolle më herët kishte shprehur simpati për protestuesit dhe kishte sugjeruar që ekipi Israel Premier Tech duhej të tërhiqej nga gara trijavore që u shndërrua në një betejë diplomatike.

Ekipi hoqi emrin nga fanellat, por qëndroi në garë deri në fund.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, kritikoi Sanchezin me një postim në X, ku përfshiu një video të fjalimit të tij të së hënës.

“Një antisemitik dhe gënjeshtar. A e pushtoi Izraeli Gazën më 7 tetor apo ishte shteti terrorist Hamas që pushtoi Izraelin dhe kreu masakrën më të rëndë ndaj hebrenjve që nga Holokausti?” tha Saar.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Në Gzë po mbahen ende 48 pengje dhe Izraeli beson se 20 prej tyre janë gjallë.

Lufta hakmarrëse i Izraelit ka vrarë mbi 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e ndan numrin e civilëve nga ai i luftëtarëve. Ofensiva ka zhvendosur shumicën e 2 milionë banorëve të Gazës, ka shkaktuar shkatërrime masive dhe uri të madhe.

Derisa lufta po vazhdon, Izraeli po izolohet gjithnjë e më shumë, dhe Spanja është në krye të një liste gjithnjë e më të madhe të vendeve evropiane që po e kritikojnë Izraelin për shkak të numrit të lartë të viktimave civile.

Vende si Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se planifikojnë ta njohin shtetin palestinez, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian ka bërë thirrje për kufizimin e marrëdhënieve tregtare me Izraelin.

Evropa mbetet e përçarë në qëndrimin ndaj Izraelit, dhe sanksionet apo dënimet e kufizuara deri tani kanë pasur pak efekt. /REL