Kryeministri e heq pjesërisht dhe me kushte taksën ndaj mallrave serbe - Gazeta Express
string(73) "kryeministri-e-heq-pjeserisht-dhe-me-kushte-taksen-ndaj-mallrave-serbe-ge"

Kryeministri e heq pjesërisht dhe me kushte taksën ndaj mallrave serbe

Gazeta Express

27/02/2020 18:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një konferencë për media, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta heqë taksën pjesërisht dhe me kushte ndaj mallrave serbe.

Kurti ka vendosur ta heqë tarifën për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina duke filluar nga data 15 mars.

Lexo Edhe:

“Nga 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina”, është shprehur Kurti.

“Kjo si shenjë për gatishmëri për marrëveshjen ekonomike tregtare me Serbinë. Ftojmë Serbinë që të zotohet që ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.

E nëse Serbia ndërpren fushatën jomiqësore, atëherë nga data 1 prill tarifa do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditëshe.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën. Atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditësh”, ka thënë Kurti.

“Bashkimi Evropian ta vlerësojë lartë vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100% duke ofruar liberalizimin e vizave para samitit të Zagrebit me 7 maj 2020”, thotë Kurti.

Kryeministri tha se nëse Serbia nuk reflekton, nga 1 prilli do të nisë implementimi gradual i reciprocitetit.

“Në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella, dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë Qeveria e Kosovës, me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj në atë ekonomike e politike”, ka thënë Kurti.

“Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditës nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë. Atëherë Qeveria e Kosovës, me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit”, thotë Kurti.

Gjithashtu, Kurti ftoi Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të propozojnë instrumente të detajuara dhe mekanizma për evidentim preciz të mospërmbushjes së detyrimeve nga palët jobashkëpunuese në proces.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike. Mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët dhe poashtu me listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces”, ka thënë Kurti.

“Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që prodhon në arritjen e këtyre objektivave, reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit”, shtoi Kurti.