Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme ka njoftuar se LSI do të votojë më 21 nëntor me aplikacion online për delegatët në Konventën Kombëtare.
Nëpërmjet aplikacionit ‘’Join LSI’’ i cili do të shërbejë për votimin online , Kryemadhi i bëri thirrje të rinjve e të rejave që të marrin pjesë në këtë proces ku përcaktohet e ardhmja e drejtimit të partisë.
”Të gjitha anëtarët e LSI dhe gjithë Shqipërinë do u drejtohen qendrave të votimit në bashki apo online, ku ne si LSI kemi krijuar votimin online në bazë të bashkive apo qarqeve për delegatët në Konvetën Kombëtare.
Do të përcaktohet e ardhmja e drejtimit të LSI. Kam besimin e plotë se pas zgjedhjeve që do të ketë një shembull për angazhimin dhe pjesëmarrjen në LSI. Ne kemi qenë avangard në këto procese. Që në 2004 kemi aplikuar praktikën një anëtar një votë për kryetarin.
Tashmë po aplikojmë votimin online nëpërmjet ‘’Join LSI’’. Jo vetëm i lehtë për telefonat por edhe mediat do kenë një demo publike.
Përsëris nëpërmjet kësaj thirrjen ndaj të rinjve e të rejave që të përfshihen në LSI. Do të thotë të marrësh në duar fatet apo dhe vetëqeverisës, shumë e domosdoshme për brezin e ri.
Kam pasur takime, dhe më bën përshtypje pjesëmarrja e djemve dhe vajzave, por jo vetëm edhe dëshira për të marrë vendimet për veten e tyre, janë të frustuar nga politika dhe mungesa e shpresës.
Dua të theksoj se sot më shumë se kurrë e kemi të nevojshme ëprfshirjen e gjithë intelektualëve, e dimë që janë të zhgënjyer nga politika, por i vetmi ilaç është përfshirja.”- tha Kryemadhi.
Gjithashtu në konferencë Kryemadhi nuk është shprehur kundër partive të reja që po krijohen tashmë 5 muaj para zgjedhjeve në rast se ato janë kundër partisë qeverisëse që ka uzurpuar shtetin.
Kryemadhi theksoi se është pro çdo iniciative që sjell risi dhe njerëz të rinj në politikë si dhe ka politika të qarta kundër qeverisjes së sotme.
Në rast se partitë e reja synojnë përçarjen e opozitës, Kryemadhi garanton se nuk do t’ia dalin madje përkundrazi do i marrin votat PS-së.
Po ashtu ajo ka konfirmuar se LSI-së po i bashkohen socialistë që janë të zhgënjyer në PS nga sekti i Rilindjes.
”Përçarje e opozitës nga partitë reja?
Nuk e mendoj fare sepse sot çdo strukturë politike, iniciativë që sjell risi dhe njerëzit të rinj në politikë, që ka politikë të qarta kundër këtij sekti uzurpues nuk krijon asnjë lloj efekti apo dëmtimi opozitës, ja rrit kredibilitetin dhe forcën e angazhimit apo asaj shtrese që ndihet e papërfaqësuar.
Nëse forcat e reja politike do të jenë si mekanizma për të përçarë politikisht opozitën, atëhere të jeni të qartë se shqiptarët janë më të zgjuar. Do ia marrin votat mazhorancës dhe nuk do krijojë tjetër gjë.
Sekti i Rilindjes nuk ka nevojë për socialistët, i quan të dështuar, i quan të humbur dhe unë nuk do përmendja jo më pak por çështja e socialistëve që po i bashkohen LSI është normale. Gjejnë solidaritet, hapësirë, komoditet në komunikim.”- tha Kryemadhi.