Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë Elisa Spiropali, ka mbërritur në Hagë për një vizitë zyrtare në Holandë. Sipas një njoftimi nga Ministria për Punët e Jashtme, ajo do të pritet nga homologu i saj holandez, David van Weel, me të cilin do ta firmosë edhe një deklaratë të përbashkët për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në kontekstin e mbështetjes për integrimin europian të Shqipërisë.
Në këtë takim, Spiropali do ta falenderojë ministrin e Jashtëm holandez për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlament për çeljen brenda muajit nëntor të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Takimi gjithashtu do të shërbejë për të diskutuar mundësi të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimeve akademike.
Gjatë vizitës së saj, ministrja Spiropali do ta vizitojë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e paraburgimit të Gjykatës Speciale.
Ajo gjithashtu do ta mbajë një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, ku do të bisedojë me studentët dhe akademikët e Programit të Studimeve Europiane mbi agjendën e reformave dhe standardet europiane që Shqipëria po ndjek.
Vizita do të përmbyllet në ambientet e Ambasadës shqiptare në Hagë, ku Spiropali do të takohet me rrjetin e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë në Holandë, duke forcuar lidhjet mes komunitetit shqiptar dhe atij akademik dhe profesional europian.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...