Kryediplomati Wadephul, vizitori i lartë i radhës që e nxjerr Kurtin nga zyra, arsye vendimi i BE'së - Gazeta Express
string(97) "kryediplomati-wadephul-vizitori-i-larte-i-radhes-qe-e-nxjerr-kurtin-nga-zyra-arsye-vendimi-i-bese"

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 11:56

Kryediplomati Wadephul, vizitori i lartë i radhës që e nxjerr Kurtin nga zyra, arsye vendimi i BE’së

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 11:56

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, është mysafiri i radhës që kryeministrin në detyrë Albin Kurti do ta nxjerrë nga zyra e tij për ta çuar në një sallë Kuvendi për takim. Kryediplomati gjerman po viziton sot Kosovën në kuadër të një vizite të tij në Ballkanin Perëndimor.

Gazeta Express

Fotografitë që dolën nga takimi i Albin Kurtit me Ursula von der Leyen, presidenten e Komisionit Europian, në sfond kishin disa pllaka e dy flamuj të vendosur në korridor të Kuvendit të Kosovës derisa takimi u zhvillua në një sallë.

Në po të njëjtën sallë sot Kurti do ta presë nga ora 15:35 edhe kreun e diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, i cili bëhet zyrtari i dytë i lartë nga Bashkimi Europian që po e nxjerr Kurtin nga zyra e tij drejt Kuvendit.

Vendimi i europianëve për të mos i shkuar në zyre kryeministrit në detyrë të Kosovës erdhi pas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, e cila e shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

Kjo e vuri Unionin në lëvizje pas kritikave për zvarritjen e procesit të krijimit të institucioneve, në atë kohë konstituimin e Kuvendit, i cili mbeti i bllokuar meqë Albulena Haxhiu s’po merrte mbështetjen e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare, ndërsa partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, po ngulte këmbë.

Për vendimin e BE-së Kurti ishte njoftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, përmes një letre të dërguar më 8 gusht ku e ka informuar atë se deri te ky vendim kanë ardhur pas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të 25 qershorit.

Sidoqoftë, vetë Orav u pa duke shkuar në zyrën e Kurtit, por më pas Zyra e BE-së e sqaroi për Gazetën Express se ndalesa vlente vetëm për zyrtarët e lartë të BE-së dhe ajo ata që shërbenin në vend.

“Siç është theksuar më parë, me rastin e vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, von der Leyen, zyrtarët e nivelit të lartë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të BE-së nuk do të takohen me zyrtarët e qeverisë në detyrë të Kosovës në ambientet e qeverisë. Megjithatë, kjo nuk vlen për zyrtarët e BE-së të vendosur në Kosovë, përfshirë Ambasadorin Orav, apo zyrtarë të tjerë të BE-së që mbajnë marrëdhënie pune me institucionet e Kosovës”, kishte thënë për Express zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon.

Në këtë kontekst, zyrtarë të nivelit të lartë të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së përfshijnë presidentë, krerë shtetesh, ministra, komisionerë dhe Përfaqësuesen e Lartë/Nënpresidenten (HR/VP).

Bashkimi Europian në letrën dërguar Kurtit kishte thënë se vendimin e kishte marrë pas konsultimeve me shtetet anëtare dhe kishte argumentuar se ky vendim riafirmon përkushtimin parimor të bllokut ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional.

“Në përputhje me këtë vendim [të Gjykatës Supreme] dhe në interes të koherencës institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri plotësisht e mandatuar”, thuhej në letrën e BE-së, të cilën e kishte publikuar Klan Kosova.

Wadephul, para Kurtit, do të takojë edhe presidenten Vjosa Osmani në orën 13:55 në kabinetin e saj.