Bombardimi amerikan i centralit kryesor bërthamor të Iranit në Fordow e ka “dëmtuar seriozisht dhe rëndë” objektin.
Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në një intervistë me CBS News.
“Askush nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur në Fordow. Megjithatë, ajo që dimë deri më tani është se objektet janë dëmtuar seriozisht dhe rëndë”, citohet të ketë thënë Araghchi në intervistën e transmetuar të martën.
“Organizata e Energjisë Atomike e Republikës Islamike të Iranit… aktualisht po kryen vlerësim, raporti i të cilit do t’i dorëzohet qeverisë”, ka shtuar ai.
Komunikimet e përgjuara iraniane minimizuan shkallën e dëmit të shkaktuar nga sulmet amerikane ndaj programit bërthamor të Iranit, raportoi Washington Post të dielën, duke cituar katër persona të njohur me informatat e klasifikuara që qarkullojnë brenda qeverisë amerikane.
Kujtojmë se presidenti Donald Trump ka thënë se sulmet “shkatërruan plotësisht” programin bërthamor të Iranit.
Megjithatë, zyrtarë amerikanë pranojnë se do të duhet kohë për të formuar një vlerësim të plotë të dëmit të shkaktuar nga sulmet ushtarake amerikane fundjavën e kaluar.