Kronologjia e një vrasjeje - Gazeta Express
string(26) "kronologjia-e-nje-vrasjeje"

Kronologjia e një vrasjeje

Gazeta Express

02/12/2019 14:05

Oliver Ivanoviq kishte nisur një ditë të zakonshme pune. Por, ai u vra në hyrje të zyrës së tij.

Kjo vrasje tronditi Kosovën dhe Serbinë.

Lexo Edhe:

Hetimet për këtë rast filluan në të dyja vendet, përderisa nuk munguan edhe përplasjet politike mes Prishtinës dhe Beogradit.

Lexoni një kronologji të ngjarjeve që pasuan vrasjen e njërit nga politikanët më të njohur të Kosovës nga komuniteti serb.

Oliver Ivanoviq, u qëllua për vdekje pranë zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut. Ai ishte lider i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”. Mjekët ligjorë, të cilët kanë bërë autopsinë e Ivanoviqit, kishin gjetur gjashtë plumba në trupin e tij.

Vrasjen e Oliver Ivanoviqit, e kanë dënuar zyrtarët e institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Haradinaj kishte thënë se ky krim, është rezultat i përfshirjeve ilegale që ndodhin në veri nga instanca tjera jashtë Kosovës”. Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Serbisë, e cilësoi vrasjen si “akt terrorist”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë e mjaftueshme organeve kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur.

U deshën vetëm 24 orë nga biseda ndërmjet presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, që të fillojnë përplasjet mes dy vendeve lidhur me hetimet e vrasjes. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Serbia nuk ka dërguar ndonjë kërkesë zyrtare për përfshirje për hetime, por, sipas tij, është kërkuar shkëmbim i informatave, për çka edhe Kosova është e interesuar. Ai tha se të drejtën për hetime në Kosovë e kanë vetëm institucionet e Kosovës. Më herët, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në emër të Qeverisë së Serbisë ka dërguar kërkesë për të marrë pjesë në hetime.

Lideri i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” në Kosovë, Oliver Ivanoviq, u varros në Beograd, në kompleksin e varrezave “Novo Groblje”.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Ministria e Drejtësisë së Serbisë ka dërguar kërkesë për shkëmbim të informatave rreth hetimeve që po zhvillohen në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. “Unë sot do t’i përgjigjem Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë ku do të shprehim gatishmërinë dhe vullnetin tonë për bashkëpunim dhe për ndarjen e informacioneve për zbardhjen e këtij rasti”, ka thënë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Vetura e djegur, e gjetur pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë, ka origjinën nga Serbia, kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti. Po ashtu, kjo veturë, ka zinxhirin e pronarëve në Serbi, ka thënë ai. Sidoqoftë, sipas policisë, ende nuk është dëshmuar nëse kjo veturë ka lidhje direkte me rastin Ivanoviq, por është një prej pistave të hetimeve.

Dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, u është caktuar paraburgimi, lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në pjesën veriore të Mitrovicës. Prokurori në pjesën veriore të Mitrovicës, Shyqri Syla, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ata janë paraburgosur si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “të manipulimit me prova në rastin Oliver Ivanoviq”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka liruar dy pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët janë arrestuar nën dyshimet se kanë manipuluar me prova në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në veri të Mitrovicës, tre prej të cilëve, janë të dyshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb nga kjo pjesë e Kosovës, Oliver Ivanoviq. Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, personi që mbetet në kërkim nga policia është nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, Milan Radoiçiq.

Serbët e komunave veriore të Kosovës kanë protestuar kundër arrestimit të katër serbëve në veri nga Policia e Kosovës, por edhe taksës ndaj mallrave serbe. Protesta u zhvillua në Rudarë të Komunës së Zveçanit. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç u tha protestuesve se policia e ka bastisur edhe shtëpinë e nënkryetarit të Listës, Milan Radojçiq, si të dyshuar për vrasje, duke keqtrajtuar gruan dhe fëmijët e tij.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën prej një muaji paraburgim, ndaj dy të pandehurve me iniciale N.S dhe M.R, të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”, lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ndërkaq, të pandehurit D.M po ashtu i është caktuar masa prej një muaji paraburgim, për veprën “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Ministria e Brendshme e Serbisë tha se policia, me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka intervistuar M.R (Millan Radoiçiq, shënim i redaksisë), në lidhje me njohuritë e tij, për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore. Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – parti politike në Kosovë – ka deklaruar për mediat se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit dhe se nuk do t’iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti serb dhe policia mund të thonë me siguri se Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, nuk e ka vrarë politikanin serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq. Vuçiq tha për Radio-Televizionin e Serbisë se Radoiçiq “nuk ka marrë pjesë në organizimin, logjistikën apo nxitjen” e vrasjes së Ivanoviqit. Ndërkohë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më pas, në një konferencë për media, tha se vrasësit e Ivanoviqit gjenden në Beograd.

Prokuroria e Kosovës, bëri të ditur se ka marrë përgjigje në kërkesat e saj, të cilat ua ka drejtuar organeve të Serbisë, që ndërlidhen me procesin hetimor të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Organet serbe kanë thënë se arma e përdorur në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, sipas gjetjeve, nuk ka hasur në përputhshmëri të përdorimit të saj në ndonjë rast tjetër në Serbi.

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të lëshojë urdhër-arrest për Millan Radoiçiq, si një prej personave të dyshuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Gjykata Themelore në Prishtinë në mungesë të provave, liroi nga paraburgimi Dragisha Markoviq, i cili u arrestua në lidhje me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Atij iu shqiptua masa e paraqitjes së detyruar në qendrën policore. Dy të dyshuarve tjerë, Nedeljko Spasojeviç dhe Marko Roshiq, iu zgjat masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Për angazhimet në kompletimin e dosjes për fletë-arrestim ndërkombëtar ndaj Millan Radoiçiqit, kishte folur ministri në largim i Drejtësisë , Abelard Tahiri. Por, me gjithë faktin se Tahiri kishte konfirmuar kompletimin e dosjes, fletë-arrestimi nuk është lëshuar ende. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Izmi Zeka, zëvendësministër në largim i Punëve të Brendshme. “Deri më tani nuk është lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar për Radoiçiqin. Ne shpresojmë se shumë shpejt do të ketë fletë-arrest ndërkombëtar”, ka deklaruar Zeka.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në veri të Mitrovicës, ku ka arrestuar dy persona, në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Por, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni në veri, është zhvilluar mbi dyshimin për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Ne kemi shkuar për krim të organizuar dhe keqpërdorim. Tash, të shohim gjatë hetimeve se çfarë do të dalë. Mund të jenë edhe këta (personat e arrestuar) të përfshirë në atë rast, në një mënyrë apo në mënyrë indirekte, por për momentin ne e kemi për krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë Hoxha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, kundër gjashtë personave për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Sipas prokurorisë aktakuza është ngritur kundër “të pandehurit N.S, M.R dhe R.B, të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M.R, Z.V dhe Zh.B, të cilët gjenden në arrati, ndaj të cilëve gjykata kompetente ka lëshuar urdhërarrest dhe letërreshtim ndërkombëtar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale”.

Prokuria ka thënë se secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij.