Kronikë e ngecjes së paralajmëruar (II) - Gazeta Express
string(37) "kronike-e-ngecjes-se-paralajmeruar-ii"

Kronikë e ngecjes së paralajmëruar (II)

Gazeta Express

17/09/2020 10:25

Pa një bashkërenditje të mirëfilltë në mes të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Francës, nuk mund të ketë Marrëveshje Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Teksa është goxha e qartë se çfarë synojnë të arrijnë palët  (Kosova dhe Serbia), në shqyrtimin e këtyre temave problematike, nuk është fort e ditur se si do t’i qaset këtyre temave shumë sfiduese vetë nikoqiri i këtyre bisedimeve, Emisari Special i BE-së për dialogun, diplomati sllovak Miroslav Lajčak.

Homologu i tij amerikan, Ambasadori Richard Grenell, Emisari Special i Presidentit Trump për bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, i cili së bashku me Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, është më i merituari për arritjen e Marrëveshjes së Washingtonit, me 4 shtator, kohë më parë deklaroi që Pika 10  (e Propozuar e Marrëveshjes), është bartë prej Washingtonit në Bruksel.

Bëhet fjalë, siç dihet, për atë formulimin e njohur të shfaqur para dy Delegacioneve, në Draftet e para të Marrëveshjes, të enjten, me 3 shtator, i cili fliste për zotimin e dy palëve për njohje reciproke.

Presidenti i Serbisë pati arritur që ta shmangë këtë Pikë e cila, po të mbetej edhe në Versionin final të Marrëveshjes, do të kishte domethënien e qartë që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të bëhen me këtë qëllimin apo synimin final, të njohjes në mes të këtyre dy shteteve.

Edhe O’Brien në prononcimet e tij mediatike pas arritjes së kësaj Marrëveshjeje, ka potencuar faktin që aspekti politik i normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është në duartë e BE-së.

Duket që si deklarata e Grenellit, ashtu edhe ajo e O’Brienit, mund të shihen për dikë si inkurajim a motivim, e për dikë tjetër edhe si një lloj i presionit që Brukseli, brenda një kohe që matet me muaj  (jo më shumë), ta bëjë një Marrëveshje të madhe politike për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do ta ketë në vete  (patjetër), edhe përmbajtjen, mbase, edhe më eksplicite, të asaj Pikës Dhjetë, tashmë, me një qartësi kategorike që kjo Marrëveshje bëhet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me të cilën këto dy shtete njohin njëra-tjetrën dhe vendosin marrëdhënie diplomatike.

Megjithatë, duket që tek një përmbajtje e kësisojt e Marrëveshjes, e cila është objektivisht versioni i vetëm i pranueshëm për politikën kosovare, nuk mund të mbërrihet dot pa një bashkërenditje të plotë në mes të Administratës Amerikane dhe të Bashkimit Evropian, ku këtu  (në kuadër të BE-së), patjetër duhet të përfshihen edhe Gjermania dhe Franca.

Sidoqoftë, Lajčak dhe Ekipi i tij shumë shpejt, brenda pak javësh, sipas të gjitha gjasave, do të kuptojnë që mbase është e pamundur të vazhdohet me këtë qasjen e përzgjedhur prej tyre  (dhe të përkrahur prej te dy palëve, që nga Takimi i parë i mbajtur me 16 korrik në Bruksel), që mund të klasifikohet si qasje ’temë pas teme’  (apo, ’hap pas hapi’), deri te kryepyetja apo kryeçështja e këtij procesi, që ka të bëjë me vetë emrin e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dikush mund të thotë këtu që Lajčak ka përvojë sa të duash në këto anë të Ballkanit, që e di fare mirë se për çka bëhet fjalë në këtë ndërmarrje politike dhe diplomatike, apo që kreu i BE-së, njëlloj si instancat më të larta në Washington, në Berlin dhe në Paris, sikurse edhe vetë Lajčak, e dinë që nuk mund të ketë epilog të këtij kontesti të gjatë dhe tragjik në mes të Kosovës dhe Serbisë, poqëse nuk do të ketë njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga ky pikëshikim, mund të thuhet që me apo pa dashje prej tij  (prej Lajčakut), me parashtrimin e këtyre tri temave  (Aranzhmanet për të drejtat e komuniteteve, Asociacioni/ Bashkësia e komunave, Trashëgimia religjioze dhe kulturore serbe), do të mbërrihet së shpejti tek një pengesë e pakapërcyeshme në këtë qasjen aktuale të Lajčakut dhe Zyres së tij.

Në njërën anë, te dy palët, sipas të gjitha parashikimeve, do të këmbëngulin në qëndrimet e tyre, krejtësisht kundërshtuese, në shqyrtimin e këtyre temave.

Në anën tjetër, do të kuptohet që jo që nuk mund të ketë Marrëveshje për këto tema, por as që do të mund të flitet dhe të bisedohet për to, pa e kuptuar atë Kryefjalën e Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa kur të mbërrihet te kjo Pikë  (nga e cila realisht është dashtë të nisë ky kapitulli final i bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit), do të mirret vesh që pos vetë autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, hise në arritjen e Marrëveshjes eventuale patjetër do të kenë edhe Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe Parisi.

Kjo hise do të jetë dyzim i një inkurajimi dhe presioni diplomatik dhe politik të këtyre katër kryqendrave, dhe i oferave konkrete për përfitimet politike, ekonomike dhe financiare poqëse do të nënshkruhet Marrëveshja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, nga perspektiva e sotme, duket që një herë do të mbërrihet tek stadi i tensioneve të mëdha në bisedime, pa një perspektivë të qartë se si do të tejkalohet kjo situatë e rëndë, para se të kryhen zgjedhjet presidenciale në Amerikë, dhe para se të kuptohet se kush do të jetë Presidenti i SHBA-së.