string(113) "krize-e-thelle-politike-tash-e-dy-jave-te-gjithe-sy-e-veshe-kah-kushtetuesja-a-do-ta-zhbllokoje-ngercin-e-krijuar"

Lajme

Gazeta Express

28/05/2025 11:08

Krizë ‘e thellë’ politike – Tash e dy javë të gjithë ‘sy e veshë’ kah Kushtetuesja: A do ta zhbllokojë ngërçin e krijuar?

Lajme

Gazeta Express

28/05/2025 11:08

Qe nga 15 prilli, deputetët e rinj që fituan mandatin nga zgjedhjet e 9 shkurtit, janë mbledhur plot 22 herë në objektin e Kuvendit për konstituimin e këtij institucioni. Megjithatë, po aq herë edhe kanë dështuar. Gjatë kësaj kohe janë bërë thirrje të shumta për të dalë nga kjo situatë nga shoqëria civile e njohës të çështjeve politike. Madje për zgjidhje të situatës, u zhvillua edhe një takim i liderëve partiakë me presidenten Vjosa Osmani, edhe ky pa sukses, shkruan Gazeta Express.

Fillimisht, ‘sharra hasi në gozhdë’ me çështjen e raportit të mandateve, i cili nuk kaloi në tentimin e parë, por më vonë.

Pas kësaj, erdhi ‘problemi kryesor’. Ai i kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kandidatja e VV-së Haxhiu, u kundërshtua fuqishëm e ashpër nga partitë e tjera, të cilat refuzuan kategorikisht që ta votonin atë si të parën e legjislativit.

‘‘Përçarëse’’ e ‘‘me skandale’’, u cilësua Haxhiu nga partitë e tjera, kësisoj, rrjedhimisht, e njëjta nuk meritonte votën sipas tyre.

Qytetarët e vendit panë për disa seanca ‘filmin’ e njëjtë. Deputetët paraqiteshin në seancë, emri i Haxhiut hidhej në votim, më pas i njëjti dështonte të merrte votat.

Ky skenar u zhvillua për tetë seanca. Në të nëntën, VV-ja, tentoi të ndryshonte ‘taktiken’.

‘Taktika’ e re VV-së, ishte votimi i fshehtë.

Kryesuesi Avni Dehari, propozoi që votimi për kryetar të Kuvendi të bëhej përmes një votimi të fshehtë, e ku kërkoi nga të gjitha partitë që të propozonin anëtarë për komisionin që do ta zhvillonte procesin në fjalë.

Edhe ky propozim, ashtu si edhe emri i Haxhiut, u kundërshtua nga partitë e tjera si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kjo e fundit, kundërshtimin e saj e bëri edhe përmes një hapi tutje.

E njëjta me përkrahjen e deputetëve të PDK-së e LDK-së, dërguan në Kushtetuese tentimin e VV-së për ndryshim të mënyrës së votimit.

Madje, nga kjo parti, u kërkua edhe pezullim i seancave deri në vendim e Kushtetueses.

“Ne sot si AAK me nënshkrimin e deputetëve të LDK-së dhe PDK-së dërguam në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të ndryshimit të votimit në mes të propcedurave për zgjedhjen e kryeparlametnarit. Raporti është hartuar nga ekspertët e AAK-së dhe kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta trajtojë këtë çështje me prioritet. Megjithatë, ne mendojmë se po cenohet rëndësia e Kuvendit të Kosovës, duke u mbajtur seanca çdo 48 orë, përfshirë edhe ato seanca që dyshohet se po bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. U bëj thirrje të gjithë akterëve që kjo çështje të trajtohet me seriozitet, ndoshta përmes një mase të përkohshme pezulluese, për të ndaluar mbajtjen e seancave derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim”,  kishte thënë Time Kadriaj nga AAK.

Edhe përfaqësues të partive të tjera përmes deklaratave të tyre kundërshtuan propozimin e VV-së përmes Deharit, duke e cilësuar të njëjtin si të paqëndrueshëm.

Kundërshtime erdhën edhe nga shoqëria civile. Eugen Cakolli nga KDI, në një postim të tij, propozimin e kishte cilësuar si tentativë për të turbulluar një çështje që është e qartë. 

‘‘Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm’’, kishte shkruar ai.

Përveç tij, kundër propozimit të VV-së ishte shprehur edhe njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk lejohet vetimi i fshehtë në këtë fazë.

“Nuk lejohet votimi me votë të fshehtë në këtë fazë”, kishte shkruar ai.

Në anën tjetër, lideri i VV-së është deklaruar i ‘pa shqetësuar’ ndaj kundërshtimeve të lartcekura. I njëjti dje shpejt e shpejt deklaroi se zgjidhja e bllokadës është përmes votimit të fshehtë.

Ndërsa sot, Kurti, tha se shpreson në një përgjigje sa më të shpejt nga Kushtetuesja për këtë çështje.

“Për ta konstituuar Kuvendin, përgjegjësinë e kanë të gjithë deputetët dhe po bëjnë gabim që po e pamundësojnë kuorumin për votimin e fshehtë. Sidoqoftë, edhe kjo çështje e votimit të fshehtë tashmë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese dhe shpresoj e uroj për një përgjigje sa më të shpejtë nga ana e tyre”, tha ai.

Për këtë çështje, Gazeta Express ka dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar më shumë rreth një vendimi potencial të tyre.

Duhet theksuar se, Kushtetuesja tashmë e ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën nga AAK.

“Kjo kërkesë është parashtruar në Gjykatë, më 12 maj 2025. Kërkesa e parashtruar tashmë është regjistruar dhe proceduar nga Gjykata, dhe përgjatë ditës së djeshme janë pranuar edhe komentet nga palët e interesit në këtë rast. Kërkesa do të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës, dhe për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinion’’, është thënë nga Gjykata Kushtetuese.

Ndryshe, për dalje nga kjo situatë e cilësuar herë si bllokadë, krizë e ngërç, është bërë thirrje edhe nga pala ndërkombëtare të cilët, kanë kërkuar formim sa më të shpejtë të institucioneve. /GazetaExpress