Kriza politike paralizon 17 institucione, disa janë bllokuar plotësisht, disa punojnë me vështirësi - për çka bëhet fjalë - Gazeta Express
string(117) "kriza-politike-paralizon-17-institucione-disa-jane-bllokuar-plotesisht-disa-punojne-me-veshtiresi-per-cka-behet-fjale"

Gazeta Express

31/07/2025 23:40

Kriza politike paralizon 17 institucione, disa janë bllokuar plotësisht, disa punojnë me vështirësi – për çka bëhet fjalë

Gazeta Express

31/07/2025 23:40

Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në afatin që e ka dhënë Kushtetuesja për masë të përkohshme, meqë pas 54 përpjekjesh nuk arriti të konstituohej Kuvendi. Ky ngërç politik po vazhdon t`i bllokojë shumë institucione në vend në aspektin buxhetor, sikurse është rasti me RTK-në, por edhe në aspektin e kompletimit të bordeve, por jo vetëm kaq.

Moskonstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka filluar t’i shfaqë pasojat e tij. Në mungesë të Kuvendit e Qeverisë, shumë institucione po funksionojnë me mungesë bordesh, e disa janë edhe jofunksionale.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka identifikuar 17 institucione, puna e të cilave po bëhet me vështirësi, e disa janë bllokuar plotësisht dhe puna e tyre është pezulluar. Gzim Shala nga ky institut, thotë se në këtë mënyrë institucioneve u mblidhen shumë çështje për t’i trajtuar, duke u shkaktuar problem edhe anëtarëve të rinj që zgjidhen.

“Edhe në momentin kur konstituohet nuk është procedurë për shumë institucione, nuk është një procedurë që thjesht merret një vendim po atë ditë, edhe aty duhet që të ketë konkurs, duhet të ketë procedurë të rekrutimit etj. etj., deri në momentin kur përzgjidhen anëtarët e këtyre organeve dhe duhet theksuar se përtej vonesës, problematika qëndron edhe në legjislaturën e kaluar, për shkak se edhe në atë kohë kanë qenë të hapura një sërë pozitash të cilat nuk janë plotësuar dhe që sot efektet negative do të thotë vetëm përshkallëzohen tutje”, tha Shala.

Ndërkaq, Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në këso kushte, shumica e institucioneve funksionojnë në mënyrë joadekuate, pasi në fund kanë obligim ligjor që të raportojnë në Kuvend për raportet financiare.

“Kjo mund të nxis njëfarë lloj situate ku mund të ketë edhe arbitralitete me rastin e vendimmarrjes sepse shumë pozicione të pazgjidhura, shumë vendimmarrje janë edhe të pakontrolluara edhe të pambikëqyrura nga ana e kuvendit të Kosovës dhe lehtësisht mund të jenë edhe burim i keqpërdorimit dhe abuzimit të detyrave qoftë nga institucionet e pavarura, qoftë edhe nga agjensionet ose edhe individët të cilët si pasojë e mos zgjedhjes së drejtorëve ose anëtarëve të bordeve të caktume, ata mund të nxjerrin vendime që s’janë në përputhshmëri me ligjin”, tha Bugaqku .

Sipas IKD-së, listës së institucioneve të bllokuara i prin Gjykata Kushtetuese me mungesë të gjyqtarëve, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Avokati i Popullit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Agjencia Kosovare e Pronës, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare, Komisioni i Pavarur për Media, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Bordi Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit, Bordi i Ndërmarrjes Publike KOSTT, Komisioni për Ndihmë Shtetërore, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe Bordi i Ankesave në KPM.

Ndërkohë, sipas IKD-së, brenda këtij viti do t’i përfundojë mandati Avokatit të Popullit, gjashtë anëtarëve të AKP-së dhe 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës./RTK