Kriza në PDK dhe mungesa e vizionit për të dalë prej saj - Gazeta Express
string(56) "kriza-ne-pdk-dhe-mungesa-e-vizionit-per-te-dale-prej-saj"

Kriza në PDK dhe mungesa e vizionit për të dalë prej saj

OP/ED

Gazeta Express

30/05/2021 15:04

Telefonatat eventuale nga Haga tash shndërrohen në gojëdhëna. “Mua më kë thënë kështu”, “Kurse mua më ka thënë kështu”. Kjo gjë duhet të ndalet dhe duhet të ndalet urgjentisht. Ata që sot ndodhen në Hagë duhet të parandalohen të kenë çfarëdo mundësi të japin opinione politike për partinë e tyre. Ata duhet të lirohen nga partia dhe partia prej tyre. Distanca kohore dhe gjeografike, bisedat e koduara, “ai dosti, ky dosti”, vetëm sa do ta zgjasin letargjinë në PDK.

Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Është fantastike dëshira e njerëzve për të pasur vetëm edhe një mundësi për ta provuar veten, sepse herën e fundit kur dështuan ose nuk patën fat, ose ndodhi diçka e papritur që kishte qenë jashtë mundësive të tyre për ta ndryshuar.

“A ka mundësi edhe njëherë?”, e dëgjojmë cdo ditë. Kjo mund të jetë hera e pestë ose e gjashtë, mirëpo vazhdimisht të këtillët e kanë një plan të ri dhe se herën e fundit nuk ishte faji i tyre. Dikush kërkon edhe një mundësi për të luajtur shah, dikush për të rregulluar një raft të prishur në shtëpi, e dikush tjetër për të qëndruar në krye të partisë, pasiqë i ka humbur zgjedhjet në katër ose tetë vitet e fundit.

Rasti më i freskët është ai në Shqipëri, ku shefi i opozitës assesi të marr përsipër përgjegjësinë e humbjes. E kërkon edhe një mundësi pas katër vitesh, e pse jo edhe një tjetër pas tetë vitesh. Është mjaft dëshpruese. Shqiptarët, por jo vetëm, më shumë e parapëlqejnë një pushtet deri diku të korruptuar se sa një opozitë të pafuqishme. Më shumë e preferojnë një kryeministër karizmatik e të korruptuar se sa një shef të opozitës të përgjumur, pa ide dhe të korruptuar brenda mundësive që i ka.

Me 14 shkurt në Kosovë ndodhi një termet politik. Albin Kurti, pas shumë vitesh rezistencë, e fshiu nga harta pjesën tjetër të politikës. Të gjitha parashikimet se “sistemi ynë elektoral nuk ia mudndëson askujt që t’i fitojë i vetëm mbi 50 përqind të votave” u demantuan. Gati pushuan së funksionuari edhe ligjet e fizikës. Shkuarja në Hagë e Thaçit, shpartallimi i LDK’së, i hapën rrugën një fitoreje plebishitare të Kurtit. Ai mori pjesë në zgjedhje gati se i vetëm. Nuk kishte tjetër pol.

Fill pas këtij rezultati Lidhja Demokratike e Kosovës gjeti forcë të mjaftueshme për t’u përballur me gjëmen që sapo u ndodhi. U futën në zgjedhje, e ndërruan lidershipin dhe e nisën një rrugë të re. A është reale që të pritet ndonjë mrekulli në muajin tetor, kur partia e udhëhequr nga kryetari Abdixhiku do të votohet në zgjedhje lokale? Jo, nuk është reale. Askush nuk pret që LDK t’i fitojë këto zgjedhje, mirëpo të gjithë presin që LDK të shënojë rritje në këto zgjedhje, sepse sipas të gjitha gjasave fundi është prekur ditën e të dashuruarëve. Sigurisht që mizeria do të vazhdonte edhe më tej, sikur lidershipi i LDK’së të pretendonte që asgjë nuk ndodhi me 14 shkurt. Mirëpo mesazhi nga votuesit ishte dhënë dhe mesazhi nga udhëheqësia e LDK’së ishte pranuar.

Por cfarë po ndodh me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila, teorikisht është partia kryesore opozitare, por praktikisht ky subjekt ende nuk e ka prekur fundin. Vota e empatisë për Thaçcin dhe Veselin e arrestuar nga Tribunali Special po lexohet në mënyrën më të gabueshme të mundëshme prej drejtusëve të PDK’së në Prishtinë. Më shumë se sa rezultati i LVV’së, PDK’së i ka bërë përshtypje rezultati i dobët i LDK’së. Në vend që të krahasohen me partinë e parë, ata po maten me partinë e tretë.

Një hoxhë, jo ky Enver Hoxhaj, kishte rastisur njëherë në një pazar kur shumë burra kishin filluar të rriheshin me bishta të sakicave. Shumë prej tyre kishin vdekur, e shumë të tjerë ishin lënduar rëndë. Hoxha i kishte hangër vetëm disa goditje bothëve. Kur e pyetën hoxhën se qysh kishte kaluar dje në pazar, ai u thoshte “Ku mu ka gjetë kapuçi, unë mirë kalova”. Kapuçi i hoxhës i ishte gjetur mbi do trupa të vdekur. Stupcat që i kishte hangër i kishte harruar.

Ka mundësi që edhe Hoxha(j) i PDK’së po e përdorë këtë logjikë. I ka marrë disa goditje të rrasta, mirëpo LDK ishte viktima kryesore. Teknikisht e saktë, por kjo nuk është e shkruar mbi guri. Kjo është për momentin kështu. Në zgjedhjet e ardhshme lokale ne do ta shohim fytyrën dhe fuqinë e vërtetë të PDK’së dhe liderit Hoxhaj. Patjetër që unë jam i bindur që asnjë rezultat i PDK’së nuk do të mund të jetë aq i dobët, sa Hoxhaj të thotë “kaq e kisha unë, le ta vazhdojë dikush tjetër”. Praktikat tregojnë që ai do ta kërkojë “edhe një mundësi”. E pas saj edhe një tjetër. Mirëpo kjo më shumë se sa një mundësi për të, është edhe një mundësi për Kurtin. Hoxhaj në krye të PDK’së është një imitim i Bashës në krye të PD’së në Shqipëri. Ai është lënë aty me amanet, e ndoshta edhe po qëndron aty me porosi. Ndoshta. Këtë nuk e dimë.

Telefonatat eventuale nga Haga tash shndërrohen në gojëdhëna. “Mua më kë thënë kështu”, “Kurse mua më ka thënë kështu”. Kjo gjë duhet të ndalet dhe duhet të ndalet urgjentisht. Ata që sot ndodhën në Hagë duhet të parandalohen, edhe për të mirën e tyre, që të kenë çfarëdo mundësi dhe çfarëdo të drejte që të japin opinione politike për partinë e tyre. Ata duhet të lirohen nga partia dhe partia duhet të lirohet prej tyre. Distanca kohore, distanca gjeografike, bisedat e koduara, “ai dosti, ky dosti”, vetëm sa do ta zgjasin letargjinë në PDK. Për ata është e rëndësishme ta dëshmojnë pafajësinë, pastaj do të kenë kohë të mjaftueshme edhe për PDK’në, por jo nga pozita e të burgosurëve.

Kjo e para; e dyta, kushdo që e udhëheqë këtë subjekt politik, tash e tutje, nuk duhet të shpresojë që ta rrisë atë nëse nuk distancohet nga keqpërdorimet dhe abuzimet e së kaluarës. Nuk kanë qënë 13 vite qumësht dhe mjaltë. Fakt është që është shpallur pavarësia, që janë realizuar njohje dhe suksese në arenën ndërkombëtare, fakt është që janë ndërtuar rrugë dhe shkolla. Mirëpo fakt është që ka pasur abuzime të llahtarshme, kurse ata që kanë qënë të përfshirë në këto abuzime kanë emër dhe mbiemër. Ata i njeh publiku. Pas datës 14 shkurt Kosova është futur në një epokë të re politike, ndërsa koha e tyre ka kaluar. Ndoshta ka kaluar edhe koha e tyre për të jetuar në liri, por kjo është dhe duhet të jetë çështje e organeve të pavarura gjyqësore. Prandaj për PDK’në është urgjente, më shumë se sa që ishte ndoshta edhe për LDK’në, që ta shfrytëzojë rënien për të bërë ndryshime dramatike. Për rreth 200 mijë votues akronimi PDK është i rëndësishëm. Ata kanë qënë të lidhur me këto tri shkronja që prej vitit 2000. Për ta PDK është simbol i luftës dhe i pavarësisë. Mirëpo gjërat duhet të ndryshojnë në mënyrë që të mbesin të njëjta.