Kriza e ujit në Gjilan, synohet ndërtimi i pellgjeve nëse aprovohet kredia prej 51 milionë euro - Gazeta Express

Kriza e ujit në Gjilan, synohet ndërtimi i pellgjeve nëse aprovohet kredia prej 51 milionë euro

Ballina

Arbër Jashari

22/02/2020 16:27

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit po synon që me anë të një kredie nga Banka Botërore të planifikojë ndërtimin e digave në rajonin e Gjilanit, në mënyrë që të përmirësohet gjendja e furnizimit me ujë dhe të evitohet kriza e thatësisë në këtë komunë. Ministria i ka thënë Gazetës Express se nëse kredia e Bankës Botërore aprovohet ajo do të jetë në vlerën e 51.1 milionë euro dhe do të implementohet në një periudhë pesë vjeçare.

Komuna e Gjilanit është goditur nga thatësia e madhe vitin që shkoi, duke bërë që niveli i pellgut të Përlepnicës që furnizon këtë qytet me ujë të bie në nivele alarmante.

Banorët e komunës së Gjilanit tash e një kohë janë duke u përballur me reduktime të ujit dhe i vetmi furnizim është nga puset e hapura në disa pjesë të qytetit nga komuna.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku në fillim të muajit shkurt ka deklaruar se është takuar me zyrtarë të Bankës Botërore dhe janë dakorduar që marrëveshja për kredit të përshpejtohet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit i ka thënë Gazetës Express se nëse kredia prej 51.1 milionë euro aprovohet, atëherë 29 milionë dollarë do të destinohen për Investimet Katalitike në Pellgun Morava e Binçës.

“Në aspektin e përmbajtjes, projekti në fjalë sipas Dokumentit Vlerësues për Kredi të projektit FLOWS përbëhet nga dy komponente themelore në vlerë të përgjithshme prej 51.1 Mil.Euro dhe atë: Komponenti 1:Masat themelore per sigurine e ujit(US$ 22.1 Milion,nga te cilat IDA US$ 11 Mil. Dhe EU IPA Grant € 10 Mil). Komponenti 2:Investimet Katalitike ne Pellgun Morava e Binçës (IDA US$ 29,0 Mil)”, thanë nga ministria.

Ky propozim-projekt pritet që të shqyrtohet në muajin maj 2020 nga ekspertët e Bankës Botërore.

“Më konkretisht, në kuadër të të këtij propozim-projekti, i cili është në fund të fazës përgatitore të hartimit të dokumentacionit nga ana e ekspertëve të Bankës Botërore të kërkesës së projektit “FLOËS” për kredi në Bankën Botërore, e cila pritet të shqyrtohet në muajin maj 2020”, kanë deklaruar zyrtarë të MIA për Express.

Propozim-Projekti përfshinë disa investime në resurset ujore me theks të veçantë në komunën e Gjilanit.

“Projekt propozimi përfshinë: Plani nacional i investimit për resurset ujore të Kosovës, Plani i Menaxhimit të Pellgut Morava e Binçës, Përmirësimin e zhvillimit të furnizimit me ujë në zonën e menaxhuar nga KRU “Hidromorava” Gjilan, Studime e vlerësime inxhinierike të Hidro Sistemit “Kikë-Kremenatë”/Kamenicë, ngritje të kapaciteteve meneaxhuese në nivelin nacional me resurse ujore, përkrahje e Institutit Hidrometologjik të Kosovës në konsulencë dhe instalime të pajisjeve matëse”, thuhet në përgjigjen e MIA-së.

Zyrtarë të ministrisë kanë thënë se “nëse projekt-kredia aprovohet në maj 2020 faza e zhvillimit të projektit është dizajnuar sipas propozimit të Bankës Botërore për 60 muaj(5-vite), pra 2021-2026”.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli i ka thënë Gazetës Express se si komunë janë të përfshirë në propozim-projektin e ministrisë për zgjidhjen e problemit të ujit.

”Siç edhe jeni në dijeni Ministri Abdixhiku veç ka filluar takimet me Bankën Botërore lidhur me zgjidhjen e problemit të ujit në regjionin e Gjilanit, ku direkt në këtë aktivitet jemi të përfshirë edhe ne si komunë dhe konform planifikimeve, investimet janë të orientuara në krijimin e mundësive të reja e të qëndrueshme në zgjidhjen e problemit me furnizim me ujë”, ka thënë

Ismajli ka thënë se planet e komunës janë në fazën e fizibilitetit.

“Sa i përket planeve tona, ne jemi në fazën e fizibilitetit dhe orientimet tona janë lumi Llapushnica që gjendet në Komunën e Gjilanit, tjetra është nga burimet që vijnë nga Kremenada e Kamenicës dhe burimi tek Shushët e Vitisë, dhe pasi të nxjerrim konluzionet finale do përcaktohemi për mundësinë më të mirë për të krijuar zgjidhje afatgjate të furnizimit me ujë”, tha Ismajli./GazetaExpress/