Kosova sot ndodhet në një udhëkryq historik. Vendimet dhe mosveprimet e këtij momenti do të përcaktojnë fatin e gjeneratave të ardhshme. Një shtet i vogël, që arriti të realizojë një ëndërr shekullore në një moment të rrallë konstelacioni gjeopolitik, sot përballet me kriza të thella shoqërore dhe institucionale, për të cilat mungon jo vetëm zgjidhja, por edhe një diagnozë e përbashkët.
Shkruan: Ilir Ibrahimi
Kriza më e rrezikshme nuk është thjesht ekonomike apo politike, por krizë identitare. Është paqartësia se kush jemi si shoqëri dhe çfarë shteti duam të ndërtojmë. Kjo mungesë konsensusi reflektohet në politikën e jashtme, në marrëdhëniet me aleatët, në proceset integruese dhe në kohezionin e brendshëm shoqëror.
Pyetja çfarë është Kosova sot, merr përgjigje të ndryshme dhe shpesh kontradiktore, duke dëshmuar mungesën e një narrative të përbashkët shtetformuese.
Në vitin 2008, Kosova u bë shtet në rrethana të jashtëzakonshme. Arkitektura shtetërore u ndërtua nga ndërkombëtarët dhe iu dorëzua shoqërisë kosovare me pritjen që ajo ta udhëhiqte vetë. Një shoqëri e dalë nga lufta, e papjekur institucionalisht dhe e uritur për liri, e pranoi këtë shtet pa analizuar thellë obligimet që vinin bashkë me të. Në vend të ndërtimit gradual të institucioneve, energjia kolektive u përqendrua në përfitimin e shpejtë nga statusi i ri shtetëror, disa përmes punës dhe edukimit, të tjerë përmes klientelizmit dhe improvizimit.
Kjo periudhë solli rritje të përgjithshme të cilësisë së jetës, por fshehu një dobësi strukturore, atë se shteti nuk po ndërtohej nga brenda. Kur rrethanat gjeopolitike ndryshuan dhe vëmendja ndërkombëtare u zhvendos, Kosova mbeti vetëm me institucione të brishta dhe pa busullë strategjike.
Klasa politike, ashtu si shoqëria në tërësi, u gjet e hutuar. Një subjekt politik, që kishte qëndruar jashtë qeverisjes për një periudhë të gjatë, e shfrytëzoi këtë konfuzion duke u paraqitur si alternativë morale. Ndërkohë, partitë tradicionale mbetën pa vizion dhe pa kapacitet vetëkritik. Pa qenë pjesë e obligimeve shtetërore të marra ndër vite, kjo alternativë i shpërfilli ato, duke e futur vendin në kurs përplasjeje me aleatët kryesorë. Sot, Kosova përballet me sanksione, izolim dhe humbje të besimit ndërkombëtar, ndërsa mekanizmat institucionalë janë dëmtuar rëndë.
Subjektet e tjera politike, të kapura në këtë realitet, u përpoqën të përshtaten përmes improvizimit, jo përmes lidershipit. Rezultati është stagnimi total dhe mungesë e qartë e një rruge përpara.
Në shoqëritë funksionale, drejtimi afatgjatë nuk vjen vetëm nga qeveritë, por nga elitat, intelektuale, profesionale, ekonomike dhe morale.
Nëse politika është timoni i përditshëm, elita është busulla që e orientom atë. Kosova sot vuan pikërisht nga mungesa e këtij mekanizmi. Elita është dobësuar sepse një pjesë është kapur nga interesat, një pjesë është frikësuar nga polarizimi, dhe një pjesë madje është larguar jashtë vendit. Mbi të gjitha, ajo nuk është institucionalizuar në forma që prodhojnë ide, standarde dhe presion publik.
Pa elitë aktive, politika mbetet pa kontroll normativ, shoqëria i kthehet emocionit dhe shteti jeton nga kriza në krizë. Kjo shpjegon edhe letargjinë shoqërore të sotme dhe mungesën e shpresës se diçka mund të ndryshojë.
Dalja nga kjo situatë nuk vjen me një figurë të re politike apo me slogane të reja. Ajo kërkon ringritje të rolit të elitës dhe ndërtim të një konsensusi minimal kombëtar. Ky minimum duhet të përfshijë orientimin e pakthyeshëm euro-atlantik, ruajtjen e aleancave strategjike, sundimin e ligjit dhe prioritetin e zhvillimit ekonomik e arsimor.
Në plan praktik, rruga e daljes kërkon katër hapa të qartë: stabilizim institucional dhe ndalje të degradimit; deeskalim diplomatik dhe rikthim të besimit ndërkombëtar; një paketë ekonomike për të shmangur kolapsin, me fokus energjinë dhe prodhimin; dhe rindërtim të kontratës shoqërore mbi atë se çfarë vendi duam.
Problemi i Kosovës nuk është mungesa e inteligjencës, por mungesa e guximit publik. Elita mban përgjegjësi jo vetëm për gabimet e së kaluarës, por edhe për heshtjen e sotme. Nga kjo situatë nuk dilet me neutralitet të rehatshëm. Dilet vetëm kur elita vendos të marrë rolin e vet historik dhe të mbrojë shtetin nga ciklet e çmendurisë politike.
Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtarë. Ka nevojë për busullë.