Të hënën parlamenti i vjetër u mblodh në seancë si pa të keq, sikur s’kishte ndodhur asgjë më 11 maj. Në Shqipëri ndodh një përjashtim grotesk nga çdo manual i funksionimit demokratik: qytetarët votojnë në maj, por parlamenti i ri mblidhet vetëm në shtator.
Kuvendi i vjetër mbledhjet i bën si ata qiraxhinjtë që refuzojnë të lëshojnë banesën edhe pasi kontrata ka mbaruar dhe ti ke lidhur kontratë me qiramarrës të rinj. Me pak fjalë, gjatë kësaj vere institucionale, vendi vazhdon të drejtohet nga një trupë parlamentare që nuk ka më mandat, duke e shndërruar përfaqësimin në një farsë të gjatë sezonale. Ky model, i panjohur në demokracitë evropiane, nuk është thjesht një vonesë teknike, por është një deformim konceptual i mënyrës si kuptohet demokracia: jo si një mekanizëm i gjallë dhe reagues ndaj vullnetit qytetar, por si një dekor burokratik ku pushteti mund të zvarritet edhe pasi ka humbur legjitimitetin.
Robert Dahl e përkufizon legjitimitetin si perceptim i qytetarëve se autoriteti i qeverisjes është i drejtë dhe se duhet respektuar si përfaqësuese e interesave të tyre. Pra, legjitimiteti nuk do të thotë vetëm që të fitosh zgjedhjet, por të qeverisësh me ndershmëri, transparencë dhe përgjegjësi, duke ruajtur vazhdimisht lidhjen me qytetarin. Në demokraci normale përfaqësuesit nuk e trajtojnë mandatin si tapi të përjetshme, por si delegim të përkohshëm, që qytetarët mund ta tërheqin sapo ndihen të zhgënjyer. Prandaj ekziston koncepti i recall-it – një instrument demokratik që lejon qytetarët të ndërpresin mandatin e atyre që nuk i përfaqësojnë më. Po për këtë arsye ekzistojnë edhe zgjedhjet e parakohshme (organizuar vetëm dy herë tek ne në 1992, 1997): sepse pushteti buron nga qytetari dhe duhet t’i rikthehet atij sa herë që besimi bie. Në Shqipëri, përkundrazi, ndryshimi i votuar mbetet pezull, ndërsa vendimmarrja vazhdon nga ata që populli ka vendosur t’i largojë. Kjo zvarritje nuk është neutrale, por dëmton besimin në procesin zgjedhor dhe e zbraz nga përmbajtja vetë konceptin e përfaqësimit.
Nëse sistemi demokratik do të funksiononte siç duhet, kalimi nga vota në përfaqësim duhet të jetë i shpejtë dhe efektiv. Çdo vonesë artificiale midis këtyre dy momenteve krijon një hapësirë ku pushteti nuk reflekton më vullnetin qytetar, por ruan veten për inerci. Kështu si është katandisur, kjo nuk është demokraci funksionale, por një simulim i saj, ku procedura zëvendëson përfaqësimin dhe vakumi institucional përdoret si mburojë për të ruajtur status quo-në. Nëse qytetari është burimi i vetëm i legjitimitetit, atëherë nuk ka asnjë justifikim përse fjala e tij, e dhënë në kutinë e votimit, të lihet pezull për katër muaj, ndërsa legjislativi vazhdon nga ata që ai nuk i ka përzgjedhur sërish. Ky absurditet i pezullimit të vullnetit qytetar për katër muaj pas zgjedhjeve i shtohet një tjetër absurditeti tjetër të reformës kushtetuese të vitit 2008, konkretisht nenit 105 të Kushtetutës, i cili përcakton se një e pesta e deputetëve mund të paraqesin mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit, vetëm nëse njëkohësisht propozojnë edhe një Kryeministër të ri.
Në një demokraci funksionale, qeveria duhet të jetojë me një ndjeshmëri konstante ndaj besimit politik që gëzon në Kuvend. Kjo është vetë esenca e parlamentarizmit: që pushteti ekzekutiv nuk është i vetëqëndrueshëm, por buron dhe mbahet vetëm për sa kohë mbështetet nga një shumicë legjitime. Por në Shqipëri, ky parim është përmbysur në mënyrë elegante në reformën e vitit 2008, e cila e ka bërë praktikisht të pamundur rrëzimin e një qeverie. Në pamje të parë, ky nen duket si një masë stabiliteti, një mburojë ndaj krizave të shpeshta. Por në thelb, ai e përmbys barrën e provës së legjitimitetit sepse nuk është më qeveria që duhet të dëshmojë se gëzon besimin e shumicës, por opozita që duhet të sigurojë paraprakisht një alternativë të plotë për të pasur të drejtën që ta sfidojë atë. Thënë më troç: “Edhe nëse e kap gruan duke të të tradhtuar në flagrancë, nuk mund ta ‘divorcosh’ për sa kohë nuk ke gati një nuse tjetër për ta zëvendësuar”.
Kjo logjikë jo vetëm e dekurajon kontrollin demokratik, por ngrin përfaqësimin politik në favor të status quosë, duke e vënë sistemin në funksion të mbijetesës së pushtetit, jo të rifreskimit të legjitimitetit. Kushtetuta nuk është krijuar për të garantuar rehati për qeverinë, por për të siguruar llogaridhënie ndaj qytetarëve. Vota e mosbesimit, në çdo sistem normal, është mjeti më i thjeshtë për të ndalur një qeveri që ka dalë nga shinat – politikisht, moralisht apo ligjërisht. Mirëpo tek ne, në vend që qeveria të provojë se e meriton të qëndrojë, opozita detyrohet të provojë se është gati të sundojë. Kushtetuta pra është kthyer në një manual për mbrojtjen e pushtetit nga qytetari, jo anasjelltas. Vota e mosbesimit, që duhet të ishte frenë për abuzimin, është kthyer në një labirint procedural ku përfaqësimi demokratik humbet rrugën.
Mosbesimi në Shqipëri pra është si sinjali i alarmit në ashensor, është aty për dekor e iluzion sigurie sepse kur e shtyp nuk të përgjigjet kush. Për ta thënë ndryshe, kur rregullat janë bërë për të mbrojtur pushtetin e jo për ta vënë para përgjegjësisë, atëherë kontrolli demokratik është në letër vetëm për sy e faqe. I vetmi mocion mosbesimi që funksionon në vendin tonë është shpopullimi që vlen si votë ndëshkimi mosbesimi që nuk hidhet në kuti, por në kufi. Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është forma më e heshtur, por më e qartë, e delegjitimimit të sistemit politik nga vetë qytetarët. Përtej dy absurditeteve të mësipërme, legjitimiteti politik në Shqipëri faktikisht është gjymtuar që në themel nga një sistem zgjedhor abuziv dhe një proces elektoral i mbushur me parregullsi, që nuk garanton përfaqësim por rikonfirmon e blindon status quo-në. Legjitimiteti tek ne, i është dëmtuar rëndë jo vetëm nga zgjedhjet e kontestuara, por edhe nga ndërtimi i një sistemi politik që e ka zëvendësuar përfaqësimin me fasadë.
Parlamenti ka humbur funksionin kritik ndaj qeverisë, duke u kthyer në një institucion noterial që vulos vendimet e ekzekutivit ndërkohë që do duhej ta kontrollonte. Nga ana tjetër, kemi përqendrim ekstrem të pushtetit të kryeministrit që qeveris me urdhra, VKM dhe kontroll absolut mbi grupin parlamentar, duke reduktuar balancën e pushteteve. Pavarësisht reformës, qytetarët e përjetojnë drejtësinë si selektive dhe të frikësuar ndaj pushtetit politik. Institucionet e pavarura si KLSH, Avokati i Popullit apo AMA janë kthyer në vegla të shumicës ndërsa opozita përjashtohet (ose vetëpërjashtohet) sistematikisht nga proceset vendimmarrëse. Kushtetuta ndryshohet nëpër tryeza pazaresh dhe zbatohet në mënyrë oportuniste, ndërkohë që pushteti vendor është një zgjatim i partisë dhe s’është aspak një shprehje e vullnetit lokal. Të gjitha këto dëshmojnë krizën e thellë të demokracisë shqiptare, e cila është kthyer në një mekanizëm të inercisë e vetëmbrojtjes së pushtetit duke u larguar vite dritë nga përfaqësimi i interesave të qytetarit.
Prandaj, për të rehabilituar legjitimitetin e demokracisë shqiptare, nuk mjafton thjesht arnim procedurash, por nevojitet një rilindje e kontratës themelore mes qytetarit dhe shtetit. Kushtetuta aktuale, e miratuar me referendum popullor më 1998 (i vetmi në historinë tonë të pluralizmit), është deformuar në mënyrë të përsëritur nga tryeza negociatash, marrëveshjesh të fshehta dhe amendimesh me logjikë përfitimi afatshkurtër. Sot ajo i ngjan një Frankenstein-i institucional, ku parimet janë copëtuar dhe qepur sipas interesave të momentit, aq sa as vetë qytetarët nuk e njohin më si të tyren. Një sistem demokratik nuk mund të qëndrojë mbi një akt themelor të cunguar, të shpërfytyruar dhe të defunksionalizuar. Prandaj ka ardhur koha për një Kushtetutë të re, të qartë në parime themelore të liberal-demokracisë, të mbrojtur nga abuzimet dhe të legjitimuar për së dyti me referendum nga populli, për të vendosur një herë e mirë që demokracia nuk është thjesht një fasadë, por një marrëveshje e ndershme për përfaqësim, kontroll dhe përgjegjësi./Gazeta Panorama