Banorët e Prishtinës, nga e hëna janë detyruar që të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik. Për pasojë, kolona të gjata janë krijuar në kryeqytet e qytetarët janë përballur me pritje të gjata, ndërkohë që Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë kanë vazhduar akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar në komunë.
Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe ata privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës e Qeverisë duke kërkuar që t’u bëhet pagesa.
Në protestë prezent ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama ka kërkuar që të takohet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin që të bisedojnë në lidhje me zhbllokimin e buxhetit.
“Sot iu bashkova protestës sepse jam dhe do të jem gjithmonë me punëtorët dhe qytetarët e kryeqytetit. Prej një viti kërkojmë zhbllokimin e buxhetit, ndërsa ai vazhdon të mbahet padrejtësisht peng për interesa politike. Jam me ju punëtorë dhe do të qëndroj në krahun tuaj deri në zgjidhjen e këtij problemi dhe kthimin e shërbimeve që qytetarët meritojnë! Punëtorët po i presin pagat që u takojnë. Qytetarët po i presin shërbimet që u takojnë. Kryeqyteti po e pret buxhetin që i takon!”, ka shkruar Rama.
Ai iu ka thënë atyre të mos bëjnë politike me nevojat bazike të qytetarëve, pasi siç thotë Rama është “e pandershme dhe jonjerëzore”.
Në një reagim të dytë, Rama tha se Albin Kurti dhe Hekuran Murait “po refuzojnë të takohen” në lidhje me atë që ai e vlerëson si “bllokim” i të hyrave vetanake të Komunës së Prishtinës.
“Kryeministri në detyrë dhe ministri i Financave në detyrë refuzojnë të takohen! Në këtë ditë kur cenohen shërbimet jetike të qytetarëve të kryeqytetit. Cenohet mirëqenia e punëtorëve dhe e familjarëve të tyre! Unë vazhdojë të jem i gatshëm 24/7 për çdo takim që siguron mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e qytetarëve dhe punëtorëve të kryeqytetit!”, shkroi Rama.
Më vonë. Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, doli në një konferencë për media në lidhje me këtë çështje.
Murati e ka cilësuar këtë si betejë politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun, shkruan Reporteri.net.
“Çfarë e kemi pa sot ishte një betejë politike që LDK me Lumir Abdixhikun kanë vendosur ta bëjnë në kurriz të qytetarëve të Prishtinës…. Pse nuk u ndërpre më herët. Unë para një muaji e pata paralajmëruar këtë situatë. …Pas përfundimit të balotazhit dhe kur u shpall data e zgjedhjeve nacionale, Trafiku Urban që deklaronte se s’ka probleme financiare tash del se megjithatë ka”, ka deklaruar Murati.
Ai tha se ndonëse komuna i ka pasur mjetet e alokuara, nuk ka bërë pagesë për trafikun urban deri në kohën kur ai u takua me përfaqësuesit e sindikatës.
“Plani kishte qenë që të bëhej betejë politike, edhe sot që i aknë pasur mjetet e alokuara, Komuna e Prishtinës nuk e ka bërë asnjë pagesë të vetme ndaj operatoëve. Në ora 12:20 është bërë pagesa e parë”, deklaroi Murati.
Murati tha se këtu janë dy probleme që kanë sjellë të kjo situatë.
“Pra Kryetari i Komunës për shkak të vendimeve elektorale, e ka fut komunën në obligime pa mbulesë dhe kësisoji tash ka vështirësi që ti paguaj këto fatura. Vendime electorale. Dëshmia më e mirë është që përveç trafikut urban, janë në vështirësi edhe ofruesit privat, gjë që nuk ka ndodhur më herët. Problemi i dytë është pastaj edhe mosvotimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Murati.
Shkaku i vonesave në vendimmarrje nga kuvendet komunale, buxheti i Prishtinës, ai i Gjilanit dhe buxheti i Zubin-Potokut nuk janë përfshirë në buxhetin e Kosovës të 2025-s. Kjo nuk u bë as pas miratimit të tyre nëpër komuna, meqë thuajse gjatë gjithë vitit Kosova ka funksionuar pa Kuvend, shkaku i ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale të shkurtit.
Për këtë çështje dje foli edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani tha se ka kërkuar nga partitë politike të mblidhen dhe të votojnë, duke theksuar se kjo çështje ka qenë si pikë e veçantë në rend dite.
Ajo ka bërë të ditur se partitë kanë vendosur të mos jenë të pranishme në seancë, duke çuar në mosmiratimin e buxhetit.
Osmani theksoi se një veprim i tillë është i lejueshëm dhe jo i kundërligjshëm, duke kujtuar se procedura të ngjashme janë ndjekur edhe gjatë Qeverisë Hoti.
“Kam kërku nga partitë të mblidhen dhe ta votojnë buxhetin, për këto komuna ka qenë pikë e veçantë, por kanë vendosur mos të jenë të pranishëm. Një gjë e tillë është e lejueshme, nuk është e kundërligjshme, pasi një gjë të tillë e kemi votu edhe në Qeverinë Hoti”, tha Osmani.
Lidhur me bllokimin e buxhetit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me punëtorët e Trafikut Urban protestuan para qeverisë. Fillimisht protesta nisi nga punëtorët e Trafikut Urban para Komunës, ku më pas iu bashkua edhe i pari i Prishtinës.