Kritikat se s’ndau informata për sulmin potencial nga Serbia, Osmani: Kemi folur vazhdimisht, ka folur edhe Ministri Maqedonci - Gazeta Express
string(122) "kritikat-se-sndau-informata-per-sulmin-potencial-nga-serbia-osmani-kemi-folur-vazhdimisht-ka-folur-edhe-ministri-maqedonci"

Lajme

Gazeta Express

17/07/2025 17:46

Kritikat se s’ndau informata për sulmin potencial nga Serbia, Osmani: Kemi folur vazhdimisht, ka folur edhe Ministri Maqedonci

Lajme

Gazeta Express

17/07/2025 17:46

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në një konferencë për media, ka folur për deklaratën e saj presidenti amerikan Donald Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë në “javët e fundit”.

Ajo u pyet për kritikat se ajo s’ka treguar për këto sulme të mundshme. Osmani tha se qytetarët kanë qenë të informuar për tendencat e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë.

Ajo e përmendi edhe një deklaratë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për pozicionimin e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.

“Për ata që thonë se kinse qytetarët nuk kanë qenë të informuar për tendencat e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë këto të fundit, dua të bëjë me dije që kjo çështje është trajtuar në dhjetëra komunikata e deklarata të presidencës dhe është përmendur në shumë deklarata të institucioneve tona të tjera. Me siguri iu kujtohet që pikërisht në fund të majit ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoni, kishte folur publikisht për këto tendenca destabilizuese të Serbisë, përfshirë pozicionimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën duke dhënë informata konkrete për këto pozicionime. Ai u sulmua ashpër pikërisht sepse e informoi publikun për këto rreziqe, e tash janë pikërisht ata që e sulmuan që dalin e thonë pse nuk na keni informuar. Në fakt ka pasur informata për tendencat e vazhdueshme, destabilizuese të Serbisë të cilat i kemi ndarë vazhdimisht me publikun nëpërmjet jush si media. Megjithatë për shkak se shumë prej atyre informatave janë të klasifikuara, unë iu lus për mirëkuptim sepse ligji e ndalon që të ndahen në detaje”, tha ajo.

Ditë më parë, Ilir Deda, shtroi pyetjen se nëse me të vërtetë ka pasur mundësi për përshkallëzim “ku ka mbetur shteti”.

Ai ka pyetur nëse ka pasur mbledhje të Këshillit të Sigurisë, takime ndërmjet udhëheqësve institucional e partiak, biseda me udhëheqës të shteteve të mëdha e shefin e NATO’s.

“Apo ndonjë komunikatë publike ku thuhet “… u bisedua për situatën e  sigurisë në rajon dhe për nevojën urgjente për depërshkallëzim…”? Thirrje për bisedime? Urgjencë e kompromis për konstituim të Kuvendit e Qeverisë? Apo, të gjithë do të zgjoheshim një mëngjes – pa Kuvend e pa Qeveri – duke e marr vesh se u “ndez” situata me Serbinë! A jeni normal? A keni ndonjë përgjegjësi për këtë shtet? A e dini peshën dhe detyrat e funksioneve që i bartni, apo nuk i jepni pesë pare?”