Faqet zyrtare në rrjetet sociale të yjeve të Kosovës që munguan në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut janë vërshuar me kritika të ashpra nga tifozët.
“Viktima” të këtyre komenteve ishin mbi të gjitha Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani, shkruan Gazeta Express.
Qindra komente kritikuese dhe fyese kanë përfunduar në llogaritë e yjeve të Kosovës, të cilët janë akuzuar se ia kanë kthyer shpinën dhe e kanë lënë ekipin kombëtar në lloç në momentin vendimtar për kualifikim në Euro 2020.
Mirëpo, kapiten Rrahmani nuk ka ndenjur duarkryq dhe i ka humbur durimi.
Ai ka reaguar ndaj komentuesve, duke ua sqaruar se e kishte të pamundur t’ju bashkohej “Dardanëve”, të cilët humbën 1:2 mbrëmë në Shkup nga Maqedonia e Veriut.
“I gjithë ekipi i Napolit është në karantinë dhe jemi të ndaluar të bëjmë një metër larg hotelit. Pas të gjitha përpjekjeve të ambasadës italiane në Kosovë, prapë ishte e pamundur të vija. Mësohuni ta duani vendin tuaj, pastaj të bëni komente”, ka shkruar qendërmbrojtësi kosovar.
Kosova i kishte tetë mungesa në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Tose Proeski Arena” dhe kjo bëri që Verdhekaltrit të ishin të pafuqishëm për të triumfuar në Shkup, në ndeshjen gjysmëfinale të “play-offit” të Ligës së Kombeve. /Gazeta Express/