Kur flitet për dramën shqipe, gjithmonë ekziston një ndrojtje, a përshtypje që ka mbetur e lënë anash, që derxhet në sirtarët e shumtë, e që nuk inskenohet sa duhet, që tematikat e trajtimit janë paksa triviale dhe, nuk zgjojnë më kureshtjen e shikuesit e aq ma pak të lexuesit, ku roli emancipativ nuk buron fare nga dramat shqipe.
Shkruan: Driton Fejzullahu
Ndoshta me të drejtë është dhënë ai konstatim?! Ajo që mua më ngallë kërshëri, por edhe dyshim është; se çfarë roli ka drama shqipe sot? I kuptoj deridiku ankesat e disa drama-tugve që ka një konsensus për të mos inskenuar sa duhet këto drama, ama jo që nuk duhet promovuar. Nëse është problem ideo-tematika, atëherë përse ende sot inskenohen dramat e Eskilit, Sofokliut, Shekspirit, Ibsenit, Çehovit, Sartrit, Kamy?! Por problemi qëndron diku tjetër, dramat e autorëve të lartë cekur, ideo- tematika e tyre është e vlefshme në të gjitha kohët, kurse dramat shqipe, bashkëkohore, duken të jenë vetëm bredhje pa takt nëpër tematika që janë afatshkurtëra dhe që në hambarin e harresës futen me dëshirën më të madhe.
Në Ferizaj, po mbahet Festivali i Teatrove, ngjarje tejet e rëndësishme kulturore jo vetëm për qytetin por për mbarë shqiptarinë. Dje isha në teatër, ku edhe u shfaq drama Gadjo, e autorit Jeton Neziraj.
Katarsisi nuk banon më në teatër
Drama Gadjo, trajtonte një akt dhune të një grupi adoleshentësh ndaj një gruaje të komuniteti pakicë në Kosovë. Ai akt i dhunës kishte prekur në sentiment ndoshta të gjithë njerëzit që ende posedojnë një trohë dhembshuri, ama kishte frymëzuar vetëm dramaturgun Jeton Neziraj. Ky frymzim ishte konvertuar në tekst dramatik aq të gjatë saqë autori më nuk kishte ditur t’ia jepte përfundimin.
Drama Gadjo, fillon me një diskurs dhe himnizim të fallusit, ku njëri nga aktorët thotë: unë kam dëshirë të jem fallus. S’ka asgjë të keqe se çfarë duan të jenë njerëzit e aq më pak dramatur(xhit) libido e pakultivuar e tyre pastaj prodhon tekste që s’kanë hiç takat e as takt të quhen tekste dramatike. Ajo që lë të kuptohet qartë nga kjo shfaqje ishte që fallusi imagjinar ka penetruar thellë jo vetëm mendjen e autorit por edhe gjuhen dramatike të tij, ndryshe një vulgaritet i tillë s’ka si shpjegohet. Pas një diskursi fallusologjik, shtrohet pyetja, ku qëndrojnë vlerat artistike të dramës Gadjo?
Perspektiva subjektive
Nëse autori vrojton një fenomen të caktuar social, nuk do të thotë që ai është i vlefshëm për të gjithë ne. Nëse dikush sheh si vlerë bërjen kauzë nacionale pse jo( nëse mundet) univesale të një akti të shëmtuar pse jo edhe të izoluar, të disa adoleshentëve ndaj asaj gruaje të atij komuniteti, nuk do të thotë që të gjithë të rinjtë e Kosovës kanë të kultivuar doza të racizmit, përkundrazi, ballafaqimi empirik me këtë dukuri thotë diçka tjetër, sidomos në qytetin e Ferizajt. Ndoshta fantazia e shfrenuar e autorit ka paramenduar ta stisë një fenomen social, për përfitime materiale, ku pastaj bredhjet në tema të caktuara nuk e mbushnin aspak boshllëkun tekstual. Këto bredhje, përvidhje tekstuale, pa linearitet, pa strukturë, të jepnin përshtypjen e një përtypje me zor të atij akti social që s’gjente fund. Ajo që kërkoja gjatë tërë atij akti të dhunës dramatike që më shkaktoi drama Godjo ishte: cilat janë kategoritë artistike që posedonte kjo dramë?
/Express