Në gjashtë muajt e fundit, Serbia është përballur me trazira të mëdha sociale dhe politike. Ngjarja që ndezi revoltën ishte rrëzimi i një mbulese në Novi Sad, por tensionet kulmuan pas sulmit ndaj studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd, në nëntor. Ky incident çoi në bllokimin e shumicës së fakulteteve publike dhe disa private në gjithë Serbinë, raporton Nova.
Më 15 mars u mbajt një nga protestat më të mëdha në historinë e Serbisë, ku mijëra studentë dhe qytetarë marshuan në Beograd nën parullën “Pazi koga birash” (“Kujdes kë zgjedh”). Në të njëjtën kohë, në Novi Sad vijon prej më shumë se 10 ditësh bllokimi i gjykatës për të kërkuar lirimin e aktivistëve të arrestuar para protestës së madhe në Beograd.
Ndërkohë, pushteti ka mobilizuar mbështetës të dyshimtë, përfshirë ish-sportistë si Vlada Mandic dhe Dane Shijan, të njohur për lidhjet me partinë në pushtet SNS dhe për përfshirje në incidente të dhunshme. Shijan është arrestuar më parë për kontrabandë parash dhe kompania e tij është lidhur me transportimin e votuesve nga Republika Srpska për zgjedhjet në Beograd.
Miljan Hofman, një figurë e afërt me strukturat informale të SNS, është përmendur në një audio-snim të publikuar nga opozitarja Marinika Tepic, ku thuhej se “15 marsi është Dita D” dhe se do të përfitojnë gjithçka nëse fitojnë atë ditë.
Përveç këtyre strukturave të dyshimta, pjesë e përplasjes është bërë edhe figura e kontestuar Simo Spasic, i njohur si provokator në tubime publike, i dënuar më parë për ngacmime dhe përndjekje.
Sipas avokatit Jovan Rajiq, pushteti i presidentit Vuciq mbështetet mbi njerëz që përfituan pasuri dhe pozita falë lidhjeve politike dhe jo meritave. Ai shton se këto struktura janë gati të mbrojnë me çdo kusht regjimin për të ruajtur privilegjet e tyre.
Gazetarja e KRIK, Milica Vojinovic, thekson se lidhjet midis pushtetit dhe botës së krimit janë gjithnjë e më të dukshme. Ajo paralajmëron se këto grupe funksionojnë si “strukturë paralele” e sigurisë, shpeshherë më e fuqishme se vetë policia, dhe se kjo mund të rrezikojë stabilitetin edhe pas një ndërrimi eventual pushteti.
Në një moment kritik për vendin, protestat studentore po shndërrohen në simbol të rezistencës kundër dhunës politike dhe kapjes së institucioneve nga grupe të lidhura me krimin.