Krimi si “vlerë europiane” - Gazeta Express
string(24) "krimi-si-vlere-europiane"

OP/ED

Gazeta Express

11/06/2021 10:47

Krimi si “vlerë europiane”

OP/ED

Gazeta Express

11/06/2021 10:47

Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës dhe gjenocidin e kryer nga regjimi i Milosheviqit, vazhdon të lartësojë e nderojë kriminelët e luftës por, njëkohësisht, vazhdon të përparojë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kurse Kosovës, viktimë e regjimit të Beogradit, vazhdojnë t’i kërkohen të tjera kompromise, ndërkohë që drejtësia për viktimat nuk është vendosur.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Tribunali i Hagës vërtetoi para pak ditësh dënimin e Ratko Mladiqit me burgim të përjetshëm, për krimet dhe gjenocidin e kryer në Bosnjë dhe Hercegovinë. Por, vendimi i gjykatës vërtetoi edhe njëherë se në Serbi fashizimi është gjallë falë lidershipit atje, që dikur ishte pjesë e makinerisë kriminale të Slobodan Milosheviqit.

Reagimet e udhëheqjes shtetërore në Serbi ishin të pritshme – kundër drejtësisë dhe në përkrahje të kriminelit Mladiq. Reagime të njëjta si të gjitha ato të më shumë se dy dekadave të fundit, kur kriminelët e dënuar nga drejtësia shteti i konsideron heronj, pa pikën e ndjenjës së fajit dhe përgjegjësisë për dhjetëra-mijëra viktima të një regjimi kriminal.

Dy dekada e gjysmë pas luftërave në ish-Jugosllavi, Beogradi vazhdon të mohojë krimet, vazhdon të mohojë gjenocidin, vazhdon të lartësojë kriminelët. Dy dekada e gjysmë pas, Beogradi vazhdon të mos pranojë kurrfarë përgjegjësie për tmerret e shkaktuara. Por, kjo qasje duket të mos i bëjë përshtypje Bashkimit Europian, sepse Serbia ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit. Pra, krimet e kryera, të cilat asnjëherë nuk i ka pranuar dhe për të cilat asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësi, Serbia i ka “konvertuar“ në “vlera europiane”. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe qasja e BE’së karshi Serbisë, në truallin e së cilës ende gjenden të varrosur eshtrat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe situata kur, pavarësisht krimeve të kryera, udhëheqësit në Beograd nuk ndiejnë pikën e përgjegjësisë, madje as moralisht, karshi viktimave dhe të tjerëve që mbijetuan tmerrin.

Rasti i Ratko Mladiqit dhe reagimet zyrtare pas vendimit për dënimin e tij tregojnë më së miri se çfarë mendojnë dhe si do të vepronin sërish ata që nga Bashkimi Europian marrin lëvdata për progres në rrugën e integrimit. Mohimi i krimeve dhe gjenocidit tregojnë qartazi se pushtetarët në Beograd nuk janë shkëputur nga krimi, as nga e kaluara kriminale, mbase edhe për faktin se vetë kanë qenë pjesë e regjimit.

* * *

Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina janë dy vendet e fundit në rajon, sa i përket procesit të integrimit. Janë dy vendet, në të cilat Serbia vazhdon të ketë ndikim direkt, në Bosnjë madje të institucionalizuar nëpërmjet Republikës Serbe.

Kosova dhe Bosnja janë dy vendet që më së shumti kanë pësuar nga regjimi kriminal i Slobodan Milosheviqit, dy vendet që kanë paguar shtrenjtë lirinë, dy vendet që ende presin drejtësi për dhjetëra-mijëra viktima.

Më parë Bosnja, e tash Kosova po ashtu janë dy vendet nga të cilat është kërkuar të bëjnë kompromise – kompromise të dhimbshme. Për llogari të Beogradit, ndërkohë që Beogradi nuk e ka bërë as “kompromisin” e pranimit të përgjegjësisë për krimet e kryera.

Pra, dikur Bosnjës së shndërruar tashmë në një shtet jofunksional e tash Kosovës po i kërkohet që të sakrifikojnë ende për hir të stabilitetit rajonal, ndërkohë që persioni do të duhej të ishte drejtuar mbi Serbinë.

Do të ishte situatë krejt tjetër po që se Beogradi do të pranonte përgjegjësinë për krimet, do të shprehte keqardhjen për viktimat, do të merrte obligime për dëmet e shkaktuara, do të kërkonte falje për gjithë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Do të ishte krejt ndryshe po që se Beogradi do të denacifikohej. Por, jo. Përkundrazi. Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës Serbia vazhdon të luftojë Kosovën dhe shqiptarët, vazhdon të sabotojë e pengojë shtetin e pavarur të Kosovës, vazhdon të mohojë e provokojë. Krejt këtë e bën në sy të zyrtarëvë të BE’së, të cilët shtetin e udhëhequr nga ish-ministri i Milosheviqit e konsiderojnë partner dhe bëjnë çmos që të përparojë sa më shumë në rrugën integruese. Ndërkohë BE vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, qytetarëve të së cilës nuk ua mundëson as lëvizjen e lirë.

* * *

Njëherë vitimë e regjimit kriminal të Milosheviqit, e tash viktimë e Serbisë “europiane”, viktimë e tekave të shteteve të BE’së, Kosova po vihet sërish në pozitë të vështirë, duke iu kërkuar që të “lëshojë pe”, nëse dëshiron që Serbia ta njohë si shtet. Për dhjetë vjet dialog, qasje konstruktive dhe vullnet të mirë, Kosova nuk është shpërblyer thuajse me asgjë nga BE. Madje as me heqje vizash, që duket të jetë “karrota” e vetme që europianët kanë për kosovarët.

Krejt ndryshe do të ishte po që se BE do të shfaqej e vendosur që, pa pranimin e përgjegjësisë për krimet e kryera, Serbia të mos mund të bëjë asnjë hap drejt integrimit.