Krimi në Malishevë, i akuzuari për kanosje e dhunë në familje vrau vëllezërit e gruas dhe u arratis – çfarë dihet deri tash - Gazeta Express
string(120) "krimi-ne-malisheve-i-akuzuari-per-kanosje-e-dhune-ne-familje-vrau-vellezerit-e-gruas-dhe-u-arratis-cfare-dihet-deri-tash"

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 17:43

Krimi në Malishevë, i akuzuari për kanosje e dhunë në familje vrau vëllezërit e gruas dhe u arratis – çfarë dihet deri tash

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 17:43

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës, ku dy vëllezër dyshohet se janë vrarë nga dhëndri i tyre. Sipas Policisë krimi ka ndodhur pas një fjalosje, derisa i dyshuari është akoma në arrati. Viktimat janë identifikuar si Driton Morina dhe Naim Morina, ndërsa dorasi është Astrit Isufi nga Sankoci i Drenasit. I dyshuari në prill kishte qenë në paraburgim dhe i ishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje e kanosje.

Gazeta Express

Sot në Golluboc të Malishevës dy vëllezër kanë mbetur të vrarë. I dyshuar për rastin është dhëndri i tyre, që ende është në arrati.

Fillimisht lajmin për Gazetën Express e konfirmoi drejtori i Policisë rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.

“Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në fshatin në fshatin Golluboc të Malishevës. Viktimat janë dy vëllezër, ndërsa i dyshuari dyshohet se është dhëndër i tyre dhe për momentin është në arrati. Policia është në kërkim të tij”, tha ai, derisa shtoi se motivi dyshohet të ketë qenë një fjalosje.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj, ka thënë se policia është njoftuar për rastin në Malishevë në orën 11:30. Ai tha se viktimat janë dërguar në QMF’në e Kijevës, ku edhe është konstatuar vdekja e tyre.

Lidhur me rastin pak më parë ka folur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, i cili tha se policia e prokuroria po punojnë që të arrestohet i dyshuari. Gashi shtoi se nuk dihet motivi saktësisht.

“Tani për tani s’mund të japim informacione për shkak se duhet të bëjmë verifikimin e të dhënave dhe më pas do të dalim me një njoftim zyrtar me qëllim që informatat të jenë sa më të sakta. Ajo çka mund t’iu them është se mes vete kanë raporte familjare, por motivin ende nuk e dimë saktësisht”, tha Gashi.

Mediat raportuan se i dyshuari është Astrit Isufi nga fshati Sankoc i Drenasit, ndërkaq viktimat janë Driton Morina dhe Naim Morina rreth 32 dhe 45 vjeç.

Si dyshohet se ndodhi rasti?

I dyshuari, sipas hetimeve paraprake, sot ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pasi është larguar disa metra, ai është kthyer përsëri dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë, raporton Sinjali.

Dyshohet se edhe vëllai i të dyshuarit kishte pasur konflikte të mëhershme me viktimat.

Siç mëson Gazeta Express i dyshuari e ka lënë veturën dhe armën dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Burimet e Gazetës Express bëjnë të ditur se gruaja e të dyshuarit, përkatësisht motra e viktimave, ka qenë në veturën e të dyshuarit kur ka ndodhur rasti.

Sipas raportimeve viktimat ishin mërgimtarë që kishin ardhur në Kosovë për të pamën e babait të tyre, që ka vdekur disa ditë më parë.

Një i afërm i familjes së viktimave ka thënë se e pamja e babait ka përfunduar para tri ditëve.

“E pamja ishte kryer para tre ditësh, por ende vinin njerëz për me ngushëllu. Ai erdhi për me e marrë gruan, u kthye dhe i vrau në prag të shtëpisë. Kjo ta këputë shpirtin. Edhe babën para pak ditësh e kemi pas varrosë,” ka thënë një i afërm i familjes për Sinjalin.

Lidhur me rastin për Gazetën Express ka folur Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila tha se të gjitha njësitë e nevojshme janë në vendngjarje dhe se është duke u bërë sigurimi i provave.

“Ju njoftojmë se në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme të policisë, Kryeprokurori dhe Prokurori Kujdestar. Sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e provave në këtë çështje penale”, tha prokuroria.

I dyshuari me aktakuzë për dhunë në familje e kanosje

Prokuroria në Prishtinë e konfirmoi për Express se ndaj të dyshuarit më 6 prill të këtij viti është paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit dhe i është caktuar.

Po ashtu, ndaj Isufit më 7 prill është ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

“Prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale “Dhunë në familje” në bazë të nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje”, sipas nenit 181 të KPRK-së.”

Lidhur me rastin deri tani janë shoqëruar në stacion policor disa persona që janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve, në mesin e tyre edhe familjarë të viktimave. Policia e Kosovës ka aktivizuar Njësinë K9 për të kapur të dyshuarit dhe deri tani nuk ka ndonjë njoftim nëse kërkimi ka përfunduar me sukses. /GazetaExpress/