Krimi monstruoz që tronditi Kosovën - Krejt çka dihet për gruan shtatzënë që dyshohet se u vra nga ish-burri i saj - Gazeta Express
string(112) "krimi-monstruoz-qe-tronditi-kosoven-krejt-cka-dihet-per-gruan-shtatzene-qe-dyshohet-se-u-vra-nga-ish-burri-i-saj"

Krimi monstruoz që tronditi Kosovën – Krejt çka dihet për gruan shtatzënë që dyshohet se u vra nga ish-burri i saj

Lajme

Gazeta Express

30/11/2022 22:26

Një krim monstruoz ndodhi sonte rreth orës 18:00 në oborrin e QKUK’së. Një burrë dyshohet se vrau ish-gruan e tij shtatzënë, e cila ishte në ditët e fundit të lindjes. H.M,35-vjeçare u vra para klinikës së Gjinekologjisë me disa plumba.

Menjëherë pas orës 18:00, oborri i QKUK’së u mbush me patrulla të Policisë.

Lexo Edhe:

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Gazetën Express tha se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti e ka konfirmuar për Gazetën Express se viktima rreth 35-vjeçare që dyshohet se u vra në oborrin e QKUK’së është Hamide Magashi nga fshati Llugaxhi i Lipjanit.

Sipas raportimeve në media, nga të shtënat ka mbetur e vdekur edhe foshnja.

Rreth dy orë më pas, T7 raporton nga vendi i ngjarjes, se tashmë familjarët e Hamide Magashit, kishin mbërritur në QKUK, ku në fotografitë e dërguar shiheshin në gjendje të rëndë emocionale.

Hamide Magashi ishte duke jetuar në shtëpinë e babasë e saj që kur u nda nga burri i saj.

Kështu e konfirmoi për T7 motra e viktimës, e cila tha se H.M dhe burri i saj kanë pas probleme edhe më herët, dhe se burri i saj gjithmonë ka mbajtur armë e thikë në shtëpi.

Sipas saj, viktima është ndarë me të me ndihmën e Policisë.

Motra e viktimës tregoi edhe për trajtimin mizor që përjetoi Hamide Magashi sa ishte e martuar me të dyshuarin.

Ajo tha se për 6 muaj, burri i saj nuk e ka lënë Hamide Magashin të dalë prej shtëpisë. Sipas saj, ai ia ka lidhur asaj duart dhe këmbët duke e mbajtur në shtëpi e duke i qëndruar me thikë.

Sipas raportimeve në media, i dyshuari për këtë rast është Sokol Halili, 31-vjeçar i cili dyshohet se e ka qëlluar ish-bashkëshorten Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugaxhi i Lipjanit dhe më pas ka ikur.

Sokol Halili

Policia ka nisur një operacion për kapjen e tij, ndërkohë që sipas të njëjtave burime, i dyshuari ka ikur nga QKUK-ja me veturën e tij Opel Astra.

Pas këtij rasti të rëndë që tronditi Kosovën, politikanë e pjesëtarë të shoqërisë civile kanë reaguar duke kërkuar drejtësi dhe dënim maksimal për vrasësin.

Po ashtu, Rrjeti i Grave të Kosovës ka organizuar nesër protestë, duke I ftuar të gjitha qytetarët që t’i bashkohen nesër kësaj proteste që fillon prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti.