Krijimi i Qeverisë së re nuk ka alternativë - Gazeta Express
string(43) "krijimi-i-qeverise-se-re-nuk-ka-alternative"

Krijimi i Qeverisë së re nuk ka alternativë

Gazeta Express

10/04/2020 15:50

Krijimi i Qeverisë së re të Kosovës duket se është pashmangshmëri politike dhe e drejtë kushtetuese në rrethanat aktuale në vend. Çdo variant tjetër është abuzim me pushtetin.

Blerim Shala

Lexo Edhe:

Shteti i Kosovës është Republikë Parlamentare.

Qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, kanë komunikimin e drejtpërdrejtë me pushtetin qendror, duke bërë përzgjedhjen e njëqind deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Edhe njëzet deputetët e tjerë, që përfaqësojnë komunitetet, përmes ulëseve të garantuara, përcaktohen me votën e lirë, por me modelin e përfaqësimit obligativ të këtyre komuniteteve.

Kur bëhet fjalë për pushtetin lokal, në komunat e Kosovës, qytetarët e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë zgjedhin Kryetarin e komunës  (gjë që nivel lokal refelkton një lloj të sistemit presidencial), dhe përfaqësuesit e Asamblesë Komunale.

Sa i përket pra nivelit kombëtar të pushtetit në Kosovë, qytetarët e Koovës nuk kanë kapacitet legal të zgjedhjes së asnjërit prej tri posteve a pozitave kyç në vend, pra, të Presidentit të Republikës së Kosovës, të Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vetëm Kuvendi i Kosovës ka legjitimitetin, e fituar nga qytetarët, dhe kapacitetit legal, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës, për ta bërë zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, të Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, dhe të Presidentit të Kosovës.

Për shkak të Sistemit zgjedhor që është në fuqi në Kosovë që prej zgjedhjeve të para parlamentare  (në vjeshtën e vitit 2001), e që është Sistem i pastër proporcional, i cili me ndryshimet e bëra në vitin 2007, fitoi edhe kriterin e Pragut zgjedhor  (prej 5%), si dhe në vijim të kompozimit të Kuvendit të Kosovës edhe me njëzet ulëse të garantuara për komunitete, në Kosovë është thuaja e pamundur që një parti a koalicion të fitojë vet shumicën absolute të mandateve  (prej së paku 61 në Kuvend), për ta ndërtuar vet Qeverinë e Kosovës. Ndërsa, për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, për ta filluar procedurën, në sallën e Kuvendit të Kosovës duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.

Pra, me Sistemin zgjedhor, dhe me Kushtetutën e Kosovës në fuqi, krijimi i koalicioneve për formimin e Qeverisë së Kosovës, është një domosdoshmëri. Kësaj domosdoshmërie pastaj i nënshtrohen vullnetet dhe disponimet e veçanta të partive dhe të liderëve politik.

Këto shpjegime të organizimit të pushtetit të Kosovës, dhe të vet shtetit të Kosovës si të tillë, të cilat do të duhej të ishin të njohura pak a shumë për secilin qytetar, e lëre më për çdo politikan të vendit, nuk lënë vend për kurrfarë interpretime të cilat vendosin lidhjen e drejtpërdrejtë në mes të emërimit të një Qeverie, të Kryeministrit të saj, dhe votës së qytetarëve të Kosovës, sikurse diçka e tillë nuk vlen as për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Populli i Kosovës nuk zgjedh Qeveri dhe as President, por Parlament të Kosovës.

Përbërja e Parlamentit pastaj, mundëson krijimin e Qeverisë së Kosovës, dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës, kështu si është sot, i njeh tri raste kur në mënyrë automatike pra, shkohet në zgjedhjet e reja parlamentare.

Rasti i parë përkon me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Dështimi, në tri raunde/ përpjekje, për ta votuar Presidentin e ri të Kosovës, bën që Kuvendi i Kosovës të shpërndahet dhe që të organizohen zgjedhjet e reja parlamentare.

Rasti i dytë ka të bëjë me formimin e Qeverisë së re, nëse në dy raunde dështon krijimi i  saj, në një afat të përbashkët prej gjashtëdhjetë ditësh.

Rasti i tretë ka të bëjë me vetë-shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, për të cilën gjë duhet siguruar përkrahjen e së paku tetëdhjetë deputetëve  (dy të tretave), të Kuvendit.

Në zgjedhje të reja të përgjithshme, mund të shkohet edhe pas dorëheqjes së Kryeministrit dhe të Qeverisë së tij, apo, edhe pas Mocionit të suksesshëm të Mosbesimit ndaj Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, këtu nuk kemi të bëjmë me një mekanizëm automatik dhe të pashmangshëm kushtetues, siç është me tri rastet e përmendura, por me një vullnet të shprehur qartë të partive politike të cilat e përbëjnë Kuvendin e Kosovës.

Nëse pra këto parti bëjnë së paku shumicën parlamentare prej 61 deputetëve, dhe nëse këto parti preferojnë organizimin e zgjedhjeve të reja, apo, nuk pranojnë që të ketë përpjekje të reja, të inicuara nga Presidenti i Kosovës, për të krijuar Qeverinë e re, atëherë, Presidenti i Kosovës ka mundësi të shpërndajë Kuvendin dhe në konsultim me partitë, të caktojë datën e zgjedhjeve të reja, jo më larg se 45 ditë pas zhbërjes së Kuvendit.

Presidenti i Kosovës nuk ka asnjë të drejtë që kokë në vete ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës. Kjo do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe do të sanksionohej lehtë  (si e tillë), nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Për më shumë, kjo do të ishte shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe Presidenti do të detyrohej të ofronte dorëheqje, në shmangie të shkarkimit të tij në Kuvendin e Kosovës me votën e së paku tetëdhjetë deputetëve.

Shpërndarja e Kuvendit, le ta përsërisim edhe një herë, nuk mund të ndodhë në mënyrë imediate as pas Mocionit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë së Kosovës, sepse atëherë do të binte që Kryeministri dhe Presidenti kanë autoritet suprem mbi Kuvendin e Kosovës, gjë që nuk është e vërtetë.

Në anën tjetër, Kushtetuta e Kosovës, nuk ka paraparë situatë, çfarë jemi duke përjetuar tani në ballafaqim me Coronavirusin, kur pas një Mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë, mund të aplikohet, edhe nëse do të kishte vullnet politik të partive që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Kosovës, varianti i shpërndarjes së Kuvendit nga ana e Presidentit, dhe shpallja e zgjedhjeve të reja, jo më vonë se 45 ditë pas këtij akti, ndërsa deri në formimin e Qeverisë së re të Kosovës, do të mbetej në detyrë Qeveria aktuale.

Thjeshtë, askush nuk mund ta di tek ne kur Kosova do ta tejkalojë rrezikun nga Covid-19, apo, kur do të mund të krijoheshin rrethanat për shpërndarjen e Kuvendit  (apo, edhe për vetë-shpërndarjen e tij), dhe për organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në teori pra, edhe nëse do të ndodhë që te dy raundet e supozuara të zgjedhjes së Qeverisë së re të Kosovës do të dështojnë në javët e ardhshme, apo, askush nuk do të jetë në gjendje ta sigurojë shumicën parlamentare për Qeverinë e re, Presidenti i Kosovës nuk do të ketë mundësi reale që ta aplikojë mekanizmin e zgjedhjeve të reja parlamentare, si shtegdalje nga kriza parlamentare.

Po del pra që në rrethanat aktuale politike dhe shëndetësore në Kosovë, nuk mund të ketë zgjedhje të reja në afat të shkurtër kohor, dhe as që mund të parashikohet, edhe në rast të vullnetit politik të shumicës, kur këto do të mund të organizoheshin.

Qeveria e re po del si një pashmangshmëri politike në Kosovës. Qoftë me variantin e parë, kur Lëvizja ‘Vetëvendosje’, si partia që ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit  (duke marrë 29 mandate), do të mund ta bënte shumicën parlamentare edhe një herë, qoftë në variantin e dytë, kur ndonjë parti tjetër, apo koalicion partish, apo edhe në vijim të Marrëveshjes për një Qeveri kalimtare, do të bëhej shumica parlamentare.

Shmangia e këtyre dy mundësive, nuk është gjë tjetër pos abuzim me pushtetin në rrethana të vështira për të gjithë qytetarët e Kosovës.