Një 44-vjeçar turk, kreu i një organizate krimiale i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Tiranë.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare me ato turke, u finalizua operacioni i koduar “Multiple”.
“Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, U. O., 44 vjeç”, njofton policia.
Prokuroria e Izmirit i ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: tentativë vrasjeje, krijim të organizatës kriminale për falsifikim të dokumenteve dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Gjykata e Lartë e Karsiyakës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Turqi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 44-vjeçarit.