Samiti në Durrës, një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shpërndarë një mesazh në rrjetet sociale në prag të Samitit të Brdo-Brijunit, që do të zhvillohet nesër në qytetin bregdetar të Durrësit.
Ajo thekson se ky samit vjen në një moment domethënës për Shqipërinë dhe gjithë rajonin, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor kanë tashmë në dorë një instrument të fuqishëm për zhvillim dhe afrimin me Bashkimin Evropian – Planin e Ri të Rritjes.
“Mirëpresim në Durrës krerët e shteteve të procesit Brdo-Brijuni në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Plani i Ri i Rritjes është instrumenti financiar që përshpejton afrimin ekonomik dhe social me BE-në”, shkruan Spiropali.
Samiti i radhës i nismës Brdo-Brijuni pritet të mbledhë në Shqipëri liderët më të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Ky forum i nivelit të lartë synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të avancojë procesin e integrimit evropian të rajonit.
E krijuar në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, nisma Brdo-Brijuni ka shërbyer si një platformë e qëndrueshme dialogu politik ndërmjet vendeve të rajonit, duke ndihmuar në ndërtimin e besimit të ndërsjellë, konsolidimin e stabilitetit dhe mbështetjen e reformave që kërkohen për anëtarësim në BE.
Takimi i Durrësit do të fokusohet tek perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një moment kur dinamika e zgjerimit të BE-së ka rifituar rëndësi pas zhvillimeve gjeopolitike në Evropë.
Gjithashtu, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Planit të Ri të Rritjes së BE-së, i cili synon të integrojë më thellë vendet e rajonit në tregun e përbashkët evropian përmes reformave, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.
Në samit pritet të marrin pjesë presidentë dhe përfaqësues të lartë nga Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, duke sjellë një mesazh të përbashkët për paqe, bashkëpunim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane për rajonin./tvklan.al