Kombëtarja U-18 e Kosovës në hendboll, në konkurrencën e vajzave, arriti sukses të jashtëzakonshëm së fundmi duke e siguruar kualifikimin e parë dhe historik në Kampionat Botëror.
Kjo bëri që i madh e i vogël në Kosovë dhe në shqiptari në përgjithësi të festonte me këtë sukses të “Dardaneve të reja”, shkruan “Gazeta Express”.
E njëri prej atyre që iu gëzua këtij suksesi të hendbollisteve të reja ishte edhe Vedat Muriqi.
Ylli i Kombëtares së Kosovës madje e ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke i përgëzuar vashat kosovare për suksesin e arritur.
“Krenar me ju”, ka shkruar futbollisti i Mallorcës në postimin e tij në Instastory, ku shihet ekipi kosovar duke festuar pasi triumfoi në “IHF Trophy Intercontinental”, të mbajtur në Tashkent të Uzbekistanit, si dhe një flamur i Kosovës dhe një zemër.
Kjo është hera e dytë që një kombëtare e sporteve ekipore e siguron pjesëmarrjen në Kampionat Botëror, pas djemve të Kosovës U-21, po ashtu në hendboll. /Gazeta Express/