Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi rajonin kufitar të Kurskut të martën, disa javë pasi forcat ruse i shtynë trupat ukrainase jashtë zonës, tha Kremlini të mërkurën.
“Vladimir Putin bëri një vizitë pune një ditë më parë në rajonin e Kurskut ku u takua me guvernatorin e përkohshëm dhe të tjerë”, tha Kremlini në një deklaratë, sipas Agence France-Presse (AFP).
Trupat ukrainase morën kontrollin e pjesëve të rajonit të Kurskut në gusht të viti 2024, por u shtynë nga forcat e Moskës, me ndihmën e ushtarëve të Koresë së Veriut, deri në fund të prillit.
AFP raporton se imazhet e transmetuara në kanalin Rossia 24 shfaqën Putinin të relaksuar dhe të buzëqeshur të ulur rreth një tavoline të madhe të shtruar me çaj dhe ëmbëlsira, me njerëz nga rajoni.
Putin vizitoi gjithashtu termocentralin bërthamor lokal dhe u takua me zyrtarë të qytetit, tha Kremlini. Presidenti rus vizitoi më parë Kurskun në fund të marsit.
Ndërkohë, Papa Leo XIV i konfirmoi Giorgia Melonit gatishmërinë e tij për të pritur në Vatikan raundin e ardhshëm të negociatave për të provuar t’i japë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, tha kryeministrja italiane të martën.
“Duke gjetur tek Ati i Shenjtë konfirmimin e gatishmërisë për të pritur bisedimet e ardhshme midis palëve në Vatikan, kryeministrja shprehu mirënjohje të thellë ndaj Papës Leo XIV për angazhimin e tij të pandërprerë për paqen”, thuhet në një deklaratë nga Meloni.
Papa Leo XIV, i zgjedhur dy javë më parë, tha më 14 maj se Vatikani mund të veprojë si ndërmjetës në konfliktet globale, pa përmendur konkretisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës./Express/