Krejt përplasja Kurti - Osmani përmes vartësve pasi kryeministri tregoi se nuk e do më në karrrigen e presidentes - Gazeta Express
string(111) "krejt-perplasja-kurti-osmani-permes-vartesve-pasi-kryeministri-tregoi-se-nuk-e-do-me-ne-karrrigen-e-presidentes"

Lajme

Gazeta Express

05/03/2026 16:12

Krejt përplasja Kurti – Osmani përmes vartësve pasi kryeministri tregoi se nuk e do më në karrrigen e presidentes

Lajme

Gazeta Express

05/03/2026 16:12

Pasi tha se nuk gjeti një emër konsensual për President në diskutimet me dy partitë opozitare, Albin Kurti e zgjodhi një emër për qejfin e vet: Glauk Konjufcën, zëvendësin e tij në Qeveri që e ka edhe nënkryetar në parti. Përgjigjja e qartë për ata që pyesnin se a do ta kandidonte Vjosa Osmanin shkaktoi zhgënjim te mbështetësit e LVV-së dhe një përplasje Kurti – Osmani nëpërmjet vartësve. Nëpërmjet shefes së grupit parlamentar, kryeministri tha se ia kishin ofruar presidentes nënshkrimet për të kandiduar. Presidenca e përgënjeshtroi. Tha se Kurti i kishte ofruar Osmanit thjesht të bëhej pjesë e garës në Kuvend, por mbështetja me vota do të zhvendosej te Konjufca. U përmend edhe një ofertë të kryeministrit për presidenten që, siç u tha, përfshinte fajësimin e opozitës për shkuarje në zgjedhje.

Gazeta Express

Kryeministrit Albin Kurti i ishte dashur shumë herë të zgjidhte fjalë me kujdes për t’iu përgjigjur pyetjes së përhershme të garetarëve se a do ta propozonte Vjosa Osmanin për presidente dhe pse s’e kishte bërë ende këtë, sikurse në vitin 2021.

Para dhe pasi takohej me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun për ta gjetur një emër konsensual për President, Kurti i përgjigjej kësaj pyetjete duke treguar se sa larg ishte numri 80, aq deputetë sa duhen për t’u arritur kuorumi i nevojshëm në Kuvend.

“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, për shkak se edhe nëse ne i mbledhim nënshkrimet, ne mund të mbërrijmë në rastin më të mirë teorik te numri 66, i cili është aq larg numrit 80. Nuk e mbërrijmë dot. Prandaj kot ne mund të nxjerrim kandidat”, pati thënë Kurti më 23 shkurt, kur ishte pyetur për Osmanin.

Një përgjigje më e qartë në pyetjen e përsëritur për Osmanin nuk mund të shmangej më dhe dje pasdite, një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, LVV-ja njoftoi se për shef të shtetit e kanë propozuar Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme.

Kështu, mundësia që LVV-ja ta mbështeste Osmanin për edhe një mandat si presidente, ra poshtë përfundimisht.

Njoftimin e LVV-së në Facebook për kandidaturën e Konjufcës e shpërndanë menjëherë qindra zyrtarë të kësaj partie, por vendimin e pritën me zhgënjim shumë mbështetës. Dhe e shprehën. Mbi një mijë komente u bënë në atë postim.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci doli ndërkohë në një konferencë për media ku tha se Konjufca është “kandidati që gëzon mbështetjen më të madhe për t’i siguruar votat në Kuvend”.

“Zoti Konjufca, siç e dimë të gjithë, edhe si kryetar i Kuvendit ka qenë autoriteti kryesor unifikues i unitetit politik”, tha ajo.

Përpara se t’ua jepte fjalën gazetarëve që sigurisht do të pyesnin sërish se pse s’e propozuan Osmanin, Nagavci vendosi ta përmendte vetë.

“E di që kohët e fundit ka pasë një vëmendje të madhe edhe nga ju media, por edhe një debat e interesim të qytetarëve rreth çështjes së kandidimit të presidentes edhe për një mandat. Në lidhje me këtë, ju njoftoj që si Lëvizje, ia kemi ofruar edhe presidentes, zonjës Vjosa Osmani, nënshkrimet për kandidaturën e saj”, tha ajo.

Tha se Osmani “nuk e ka pranuar këtë ofertë”.

Si në një përpjekje për ta arsyetuar faktin që s’ia dhanë mbështetjen Osmanit, Nagavci tha se “kemi pasë edhe deklarata të subjekteve politike, në këtë rast të PDK-së për mosmbështetjen e zonjës Osmani”.

Ende pa e përfunduar konferencën Nagavci, erdhi një reagim nga Presidenca.

“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, shkroi Learta Hollaj, shefe e kabinetit të Osmanit në një postim në Facebook.

Për këtë përgënjeshtrim, gazetarët e pyetën menjëherë Nagavcin në konferencë.

“Zonjës Learta, të cilën unë e njoh personalisht, por edhe të gjithë juve, edhe zonjës presidente, unë sot ua garantoj votat e Lëvizjes Vetëvendosje për të vazhduar tutje në garë”, tha ajo.

Shefen e grupit parlamentar e mbështeste me një postim në Facebook zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka.

“Nëse shefja e zyrës së presidentes ka dyshime se nuk i kemi premtuar presidentes 30 nënshkrime, e ftoj që sonte të vijë në zyrat e Lëvizjes, do t’i ketë edhe 3 më shumë se kandidati Glauk Konjufca, pra 33”.

Nga Presidenca reaguan sërish. Hollaj i tha Nagavcit se qasja e saj “duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta”.

Këtë herë, ajo nxori edhe disa detaje shtesë nga bisedimet e Kurtit me Osmanin. Përmendi një ofertë të kryeministrit për presidenten që, siç tha ajo, përfshinte fajësimin e opozitës për shkuarje në zgjedhje.

“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!”, shkroi Hollaj.

Nagavci tha më vonë në Interaktiv në KTV se Osmanit “ne i kemi ofruar atë që kemi mundur t’i ofrojmë”, duke iu referuar 30 nënshkrimeve “për të marrë pjesë në garë”.

“Ne nuk jemi të interesuar për betejë politike me zonjën Osmani. Jemi të interesuar ta zgjedhim presidentin e vendit e të vazhdojmë tutje. Kemi qeverinë pas më tepër se një viti. Kemi shumë punë e projekte përpara. Kemi për të përmbushur premtime që u kemi dhënë qytetarëve…Jemi tejet të interesuar të kemi presidentin e zgjedhur e të vazhdojmë tutje. Betejat politike synojmë t’i zhvillojmë pas përfundimit të mandatit të Qeverisë Kurti. Atëherë znj. Osmani nëse pëlqen të zgjedhë të vazhdojë bashkëpunimin me ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë”, tha ajo.

Nënshkrimet e LVV-së, Hollaj tha se Osmani do t’i pranonte “nëse ato do të vinin edhe me 57 votat e Vetëvendosjes, ashtu siç ka qenë marrëveshja fillimisht”.

“Është interesante se gjërat kanë ndryshuar gjatë rrugës, kështu që po, ofertën do ta pranonim, por oferta duhet të jetë me vota, sepse presidentja Osmani në këtë garë hyn për t’u rizgjedhur”, tha ajo në Interaktiv në KTV.

Ajo foli edhe për garën presidenciale. “Nëse flasim për garë”, tha, “po kthehemi aty ku gara është e vërtetë, te qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Ne kemi kohë, janë edhe 24 orë afat, dhe ne jemi të gatshëm që në ora 8 në mëngjes që të dorëzojmë amendamentet në Kushtetuese dhe të kthehemi te sovrani, ku është problemi, matemi dhe pastaj kuptojmë se cila është përgjigja”.

Ajo që ndoshta qëllimisht keqkuptohej, në fund të ditës u bë e qartë për të gjithë. Kurti ia kishte ofruar Osmanit mundësinë që thjesht të bëhej pjesë e garës, por mbështetja me vota do të zhvendosej te Konjufca.

“Nëse Vjosa Osmani beson se gëzon më shumë mbështetje se Glauk Konjufca, ne jemi të gatshëm t’ia japim nënshkrimet që të kandidojë dhe ta testojë këtë mbështetje. Është Kuvendi ai që vendos dhe aty matet vullneti”, shkroi mbrëmë deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu.

Presidentja Osmani ende nuk ka folur për këtë çështje sot, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Ajo pritet ta mbajë një konferencë për media, siç paralajmëruan më herët nga Presidenca.

Kurti, ndërkaq, nëpërmjet Jeton Zulfajt, këshilltarit të tij politik, ia çoi edhe sot disa mesazhe Osmanit.

“Vjosa është zgjedhur kryeparlamentare dhe presidente me votat e Lëvizjes Vetëvendosje”, shkroi ai në krye të një serie postimesh në Facebook, ku shtonte se si “asnjë figurë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka mbajtur të dy pozitat, pavarësisht kontributit dhe atributeve të tyre”.

Ai tha se “Vjosa nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje”, se “është ngritur si figurë politike përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës” dhe se “sa ishte në LDK, ajo nuk arriti të marrë asnjë post të lartë shtetëror pa votat e Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Rezultati i vitit 2021 u tejkalua në dhjetor të vitit 2025, kur koalicioni i njëjtë fitoi edhe më shumë vota, pa Vjosa Osmanin. Në këto zgjedhje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca dolën dy deputetët më të votuar”, shkroi ai.

Zulfaj tha se Osmani “nuk është figurë konsensuale” dhe se “Vetëvendosje nuk ia ka borxh ta bëjë presidente”.

Osmani dhe Kurti ishin sot në Kuvend për një seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së. Pasi hyri në sallë, kryeministri nuk shkoi ta përshëndeste presidenten, ashtu siç bënin të tjerët.

Pas natës së tensionuar mbrëmë, Kurti doli sot në foltoren e Kuvendit në seancën solemne, i hodhi sytë nga letra ku kishte shkruar fjalimin e tij, më pas i çoi lart dhe e shikoi Osmani, e cila ishte e ulur përballë, dhe nisi fjalën e tij: “E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu…”

Ata u desh t’i shtrëngonin duart më vonë në rreshtimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, për nder të Epopesë së UÇK-së, por disponimi u shihej në fytyrë.

Presidentja shkoi e fundit aty dhe i përshëndeti me rend të gjithë ata që ishin në rreshtin e parë, përfshirë kryeministrin. Kurti qëndroi duke mos e kthyer kokën kah ajo derisa Osmani u afrua te ai.

Për t’u thirrur seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat. LVV-ja po kërkon që kandidati tjetër të vijë nga opozita, por partitë opozitare kanë thënë se nuk hyjnë në një garë me një rezultat të paracaktuar, pasi kjo do të bënte që Konjufca të zgjidhej president në rundin e tretë të votimit, meqenëse partia e Kurtit e ka në Kuvend shumicën prej 61 votave që nevojitet në atë rast.

Në LVV thonë se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në votimin për Presidentin. Këtë e ka thënë kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e deputetë të kësaj partie.

Kurti, që e propozoi Konjufcën për President pa konsensus apo një marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër politik, ka thënë të hënën se Kushtetuta “i obligon deputetët që të votojnë”.

Po atë ditë, të njëjtën gjë e ka thënë edhe Haxhiu. Gjykata Kushtetuese, sipas saj, “i ka detyruar deputetët që të jenë në nivelin e përgjegjësisë së tyre, pra të jenë të pranishëm dhe të votojnë”.

Kryeministri paralajmëroi edhe sot përmes këshilltarit të tij se cilën qasje do ta ndjekin prej sot.

Jeton Zulfaj tha se vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje nëse dështon zgjedhja e presidentit në mungesë kuorumi.

“Jo. Deputetët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO29/11, janë të obliguar të marrin pjesë në tri votimet për presidentin. Mospjesëmarrja e tyre nuk e dërgon vendin automatikisht në zgjedhje; përkundrazi, çështja dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi mospjesëmarrja përbën shkelje të Kushtetutës”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement