Krejt me babën, veç projektit - Gazeta Express
string(28) "krejt-me-baben-vec-projektit"

Krejt me babën, veç projektit

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

25/01/2021 16:45

Një djalosh që kishte përcjellë punën e familjes pesëmbëdhjetë anëtarësh dhe Babës nga fillimi, në lagjen 06 të katundit, në murin e shtëpisë së tij, shkruante me germa të mëdha: KREJT ME BABËN, VEÇ PROJEKTIT!

Shkruan: Arber Ramadani

Në një katund të thellë e të varfër, jetonte një familje pesëmbëdhjetë anëtarësh. Të pakënaqur me kushtet e jetës në katund, familja pesëmbëdhjetë anëtarësh në krye me BABËN, nisen organizimin dhe projektimin, se si do të mund të dukej katundi, sikur ai mos të udhëhiqej nga disa familje të tjera, që sipas këtyre, po e hanë për vete të gjithë begatinë që Zoti dhe kushtet natyrore kishin mundësuar në katund.

“Projekti për katundin e ri” quhej plan programi i shkruar nga familja pesëmbëdhjetë anëtarësh.

Në familjen pesëmbëdhjetë anëtarësh, kishte diskutime përmbajtësore për punët e katundit, të gjithë ishin të përgatitur e të rryer, për fusha të caktuara, mirëpo e gjithë familja e kishte një bindje dhe besim të pa lëkundur tek Babai.

Nëse të gjithë të tjerët dinin veçmas në zanatet e tyre, ishte Baba ai i cili i dinte të gjitha, së paku kështu mendonin anëtarët e familjes. Prandaj kur vinin letrat nga një katund tjetër për punimin e tokës,  ose kur lidhej ndonjë martesë apo lindte ndonjë foshnje brenda dhe jashtë katundit, gjithmonë ishte Baba ai që fliste i pari. Në fakt vetëm ai fliste, të tjerët e përsëritnin, e përcillnin.

Në katund fliteshin gjithfarë historish, kishte gjithfarë aleancash, besa-besë, mes familjeve, inate, intriga, hasmëri nga më të ndryshmet. Punët e katundit sa shkonin e bëheshin më keq! Familjet që kishin drejtuar katundin deri atëherë, kishin hapur shumë hasmëri në mes katundarëve; dikujt nuk i ishte dhënë farë gruri, dikujt nuk iu kishte mbajtur premtimi për punësim në mullirin e fshatit, dikush mendonte se familjet e mëdha që udhëheqin me katundin, ua kishin vjedhur pasurinë katundarëve të ndershëm e punëtorë, e kështu me radhë.

I gjithë ky sherr kishte alarmuar familjen pesëmbëdhjetë anëtarësh, në krye me Babën.

Baba ishte një njeri i mençur, i hollë, preciz e ambicioz, nuk i ikte asgjë. Duke qenë kështu Baba gjithnjë e më tepër dilte në katund dhe u mbante fjalime katundarëve, se si familjet e kamura jetonin në lluks e shfrenim mbi djersën e tyre (duhet ta themi se, Baba ishte i mrekullueshëm në fjalimet e tij, larg më i përgatitur se sa familjet që udhëhiqnin me katundin), në fund të fjalimeve të tij, Baba i ftonte të gjithë katundarët t’i bashkoheshin “projektit për katundin e ri”. Duke ju thënë gjithmonë se sa i rëndësishëm ishte projekti dhe vetëm projekti. Kështu familja pesëmbëdhjetë anëtarësh, për pak kohë u bë familje qindra anëtarëshe duke dhënë kërcënim serioz për familjet e kamura që udhëhiqnin deri atëherë të qeta, me të mirat e katundit. Pesëmbëdhjetë anëtarët e familjes, mblidheshin shpesh herë në shtëpinë e tyre, të gjithë së bashku, për t’u marrë vesh se çfarë lëvizjesh do të ndërmerrnin, varësisht situatës në katund. Aty familja pesëmbëdhjetë anëtarësh në krye me Babën, caktonin edhe detyra për katundarët që i ishin bashkuar projektit, këta katundarë vullnet mirë quheshin “argat”. Quheshin kështu sepse bënin gjithçka për Babën, rregullonin vend-fjalimin e Babës, siguronin karrige për familjen pesëmbëdhjetë anëtarësh, sillnin ushqime në raste festash, bartnin familjen pesëmbëdhjetë anëtarësh nga katundi në katund në raste ceremonish, konfrontoheshin me katundarë të tjerë; rrallë për projektin, më shpesh për familjen pesëmbëdhjetë anëtarësh, e më së shpeshti për Babën. Po qe nevoja edhe rriheshin.

Me një fjalë ata ishin “argatët” e Babës! Baba kohë pas kohe i argëtonte argatët e tij, duke ua treguar “projektin për katundin e ri”, se sa e mirë do të jetë jeta, kur një ditë Baba, familja pesëmbëdhjetë anëtarësh dhe argatët do ta fusnin në dorë organizimin e katundit.

Idetë e Babës dhe familjes pesëmbëdhjetë anëtarësh, çdo ditë e më shumë merrnin dhenë, ato përhapeshin shpejt dhe me efekte të kënaqshme, së paku kështu për pjesën tjetër të familjes, përveç Babës.

Baba ishte një njeri shumë ambicioz, i prerë, e i mprehtë, synimin e kishte të qartë; donte udhëheqjen e katundit me çdo çmim e kusht. Ai e njihte mjaft mirë katundin e tij, e sidomos katundarët, e dinte saktësisht si t’i bënte për vete, pa u lodhur shumë, sikurse pjesa tjetër e familjes, që terë kohën shpjegonin “projektin për katundin e ri” dhe plane e programe që katundari i rëndomtë përtonte t’i dëgjonte e lexonte.

Kështu, Baba i pa kënaqur me popullaritetin në katund, urdhëroi familjen e tij të urdhëronin argatët (sepse Baba nuk takohej direkt me argatët, me ta fliste vetëm përmes anëtarëve të tjerë të familjes, kurse drejtpërdrejt ju fliste vetëm kur mblidheshin, në turmë, për ta dëgjuar në fjalimet që i mbante në qendër të katundit) që t’u flisnin katundarëve sa më shumë për Babën dhe ta përhumbnin diskutimin në lidhje me “projektin për një katund të ri. Argatët ashtu bënë. Hynë lagje më lagje, shtëpi më shtëpi, derë më derë, dhe folën ashtu sic ishin marrë vesh, vetëm për Babën.

Tashmë edhe në familjen pesëmbëdhjetë anëtarësh flitej vetëm për Babën dhe për virtytet e tij.

Askush më nuk fliste për “projektin për katundin e ri”. As për binjakëzimin me një katund tjetër, që ishin të një gjaku por që jetonin ndaras. E kjo më parë qe pika e parë e projektit të familjes pesëmbëdhjetë anëtarësh.

S’kishte rëndësi tash. Plani ishte i qartë, të përhapej fjala gjithandej për virtytet dhe madhështinë e Babës.

Legjenda dhe miti që u ngrit për Babën në katund, nuk preku vetëm në familjen pesëmbëdhjetë anëtarësh. Miti për Babën kishte tejkaluar parashikimet normale. Për të po flitej nga familjet e varfra e të lëna pas dore për një kohë të gjatë në organizimin e katundit, e deri tek familjet më të kamura, e më me nam në katund.

Kur po afrohej dita kur katundarët, mund të dilnin ta zgjidhnin se cila familje do të organizojë punët në katund dhe kush do të ishte kryetar i katundit, filloi një fenomen që as pleqnarët më të kënduar të katundit nuk e kishin parashikuar; anëtarë të familjeve që deri dje ishin kryesore dhe vendosnin për çështjet e katundit, kishin braktisur familjet e tyre (dikush me të drejtë, e dikush duke marrë erë kah një pushtet i ri) donin të ishin me Babën.

[…] Dikush që kishte lexuar dhe që e donte “projektin për një katund të ri”, mendoi që familja pesëmbëdhjetë anëtarësh nuk do të pranonin anëtarë të familjeve të tjera. Ngase nuk e kishin të njëjtën ide për organizimin e katundit. “Projekti për një katund të ri” ishte e kundërta e këtyre anëtarëve të familjeve të tjera, që tash dëshironin t’i bashkoheshin familjes pesëmbëdhjetë anëtarësh dhe Babës.

Por Baba mendoi ndryshe. Baba kishte tjetër plan. Askujt nuk do t’i tregohej “projekti për katundin e ri”, edhe ashtu katundarët e kishin harruar, nuk e kërkonin më. E kërkonin vetëm Babën, në krye të katundit. Ai e hapi derën për të gjithë; burra e gra, miq e armiq, të rinj e të vjetër, punëtorë e dembelë, të varfër e të pasur, priftërinj e hoxhallarë, të fortë e të dobët. Të gjithë u bënë me Babën. Të gjithë ishin për Babën.

Duke përcjellë këto ndodhi të katundit me vëmendje, një djalosh i ri që kishte përcjellë punën e familjes pesëmbëdhjetë anëtarësh dhe Babës nga fillimi, në lagjen 06 të katundit, në murin e shtëpisë së tij, shkruante me gërma të mëdha: KREJT ME BABËN, VEÇ PROJEKTIT!