Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se seanca e sotme “së paku” ka rikthyer pikën e rendit të ditës, duke thënë se kjo s’është dashur të hiqet as në seancat e kaluara.
Ai tha se sot erdhën me shpresë që Vetëvendosje do të reflektojë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që qartësoi rregullat për zgjedhjen e kryerparlamentarit dhe konstituimin e Kuvendit.
“Kanë kaluar mbi katër muaj prej kur partia që doli e para e ka mbajtur vendin peng dhe të bllokuar. Neve na është pamundësuar votimi me tendencat bllokuese e arbitrare të Vetëvendosjes. Ne erdhëm sot me shpresën që Lëvizja Vetëvendosje do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozjë një kandidat që do të merrte votat në mënyrë që të ecim tutje në konstituimin e Kuvendit dhe pastaj në afatet kushtetuese për themelim të qeverisë”.
“E patë që dolën me dy propozime ndryshe nga herët e kaluara kur kanë propozuar vetëm një. Nuk e di me çfarë logjike apo bazuar në çfarë dispozite kushtetuese a të Rregullores së Kuvendit Dehari e mbylli seancën. Ka mundur t’i propozojë edhe të tjerët sot, por megjithatë, së paku mund të themi që kemi një rikthim te pika ku kemi qenë e që s’është dashur të largohemi asnjëherë, por që jemi larguar për shkak të tendencës bllokuese të VV-së”.
Krasniqi përsëriti qëndrimin e partisë së tij se “ne do të votojmë një kandidat apo kandidate të pranueshme nga radhët e e partisë së parë që s’ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit”.
Krasniqi tha se nga Vetëvendosje mund ta kandidojë kënd të duan, “por është obligim të kandidojnë dikë që zgjidhet, që i merr votat”.
“Ata sot mundën ta kryejnë këtë punë. S’ka vota për ministrat. S’i dalloj ministrat e Qeverisë Kurti, bashkërisht janë përgjegjës për degradimin që i është bërë Kosovës”.
Krasniqi tha se Vetëvendosje duhet të propozojë një kandidat që i merr numrat e mjaftueshëm.
“Unë besoj që ka kandidat të tillë. Nëse duan zhbllokim kanë mjaftueshëm opsione”./Express/
Foto: REL