Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi e ka pritur në takim Dame Karen Pierce, të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Siç ka treguar Krasniqi në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon.
“Diskutuam për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon, me fokus të veçantë në krizën institucionale që po e dëmton vendin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. E njoftova me qëndrimet dhe përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, përmes respektimit të Kushtetutës. Falënderova ambasadoren Pierce për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës në të gjitha etapat shtetformuese, nga liria dhe pavarësia, e deri tek aspiratat tona euroatlantike”.
Po ashtu temë e diskutimit ishte edhe dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Diskutuam gjithashtu për procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe nevojën për një marrëveshje përfundimtare me njohjen reciproke në qendër, si kusht për paqe të qëndrueshme dhe integrim të plotë të rajonit. Përherë mirënjohës për partneritetin e fuqishëm me Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë Krasniqi. /Gazeta Express