Krasniqi për marrëveshjen: Dështim i madh politik e kombëtar, do ta paguajmë shtrenjtë - Gazeta Express
string(84) "krasniqi-per-marreveshjen-deshtim-i-madh-politik-e-kombetar-do-ta-paguajme-shtrenjte"

Krasniqi për marrëveshjen: Dështim i madh politik e kombëtar, do ta paguajmë shtrenjtë

Lajme

Gazeta Express

19/03/2023 12:41

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kryeministri Albin Kurti “pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do ta pranonte”.

Krasniqi tha se ky “ndryshim” i Kurtit ndodhi “në më pak se tri javë”, ndërsa marrëveshja e arritur, sipas tij është “dështim i madh”, të cilin thotë se “do ta paguajmë shtrenjtë”, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ai tha se “brezat e ardhshëm do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë”. Për këtë, përgjegjës e bën Kurtin, i cili sipas tij bëri gabime në bisedime.

“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qyetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”, ka shkruar ai.

Krasniqi tha se marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një “asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”.