Krasniqi paralajmëron se do ta çojnë në Kushtetuese vendimin e ZRRE-së: Betejë për të mbrojtur bizneset tona - Gazeta Express
string(107) "krasniqi-paralajmeron-se-do-ta-cojne-ne-kushtetuese-vendimin-e-zrre-se-beteje-per-te-mbrojtur-bizneset-tona"

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 14:21

Krasniqi paralajmëron se do ta çojnë në Kushtetuese vendimin e ZRRE-së: Betejë për të mbrojtur bizneset tona

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 14:21

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka paralajmëruar se vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për dalje në treg të lirë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese gjatë kësaj jave.

Krasniqi tha se ekipi ligjor i partisë së tij ka konstatuar se tashmë janë përmbushur kushtet për këtë hap dhe tha se këtë po e ndërmarrin në mbrojtje të bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

“Në konsultim me Avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes”.

Krasniqi tha se që nga fillimi janë angazhuar “me vendosmëri për ta ndalur ZRRE-në nga zbatimi i vendimit të saj të padrejtë, i cili i detyron mbi 1,300 biznese të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë – në kohën kur vetë ZRRE-ja nuk ka krijuar as kushtet minimale për një gjë të tillë”.

“Këtë betejë e nisëm në gjykatat e rregullta, duke përdorur çdo mjet juridik në dispozicion. Por, edhe pse provat ishin të qarta dhe pasojat për ekonominë e vendit evidente, Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën tonë, ndërsa Gjykata e Apelit e legjitimoi këtë refuzim, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRRE-së”.

Kreu i PDK-së tha se ky nuk është vetëm një proces gjyqësor, por “një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”.

“PDK do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik”.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Por, nga 1 qrshori deri më 31 korrik bizneset janë furnizuar përkohësisht me energji nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

Ndërkaq, më 13 gusht ZRRE njoftoi se shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të saj në shqyrtimin e lëndës në të cilën është bërë kërkesë për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Për të vënë në zbatim këtë vendim, KEDS të shtunën tha se ka nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti për shkak të përfundimit të afatit të përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues tjerë të energjisë dhe se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë.

ZRRE-ja i ka thënë të shtunën Radios Evropa e Lirë se deri më tash janë shkëputur 600 njehsorë nga 1.400 në total që do t’i nënshtrohen këtij procesi./Express/