Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se pyetja që duhet t’i parashtrohet kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, është se pse e ndërpreu seancën pasi deputeti serb, Nenad Rashiq, nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar – një post i garantuar me Kushtetutë për komunitetin serb.
Krasniqi tha se një rast iu desh ta mësonte Bashën nga ulësja e tij, ndërsa tha se atë po e mësojnë çka me thënë nga partia e tij.
“Pyetja që duhet t’ia bëni kryetarit të Kuvendit dhe atyre që po e mësojnë se çka me thënë, mu desh edhe mua prej vendit me e mësu pak që nuk duhet me thënë se ‘u mbyll’ seanca, por që u ndërpre seanca sepse nëse mbyllet seanca pastaj kemi telashe tjera. Edhe kjo është kundërkushtetuese. Pse e mbylli te Nenadi? Pse s’e mbylli te një tjetër? Pse s’e provoi edhe njëherë? Pra, është një skenar që fatkeqësisht është shumë i dukshëm, por është jokushtetues. Në momentin që është ndarë votimi, ne kemi bërë një hap prapa nga tradita parlamentare dhe zgjedhja e nënkryetarëve në të kaluarën. Ka pasë tendencë që ta ndajnë edhe për nënkryetarët shqiptarë”.
Krasniqi tha se partia e tij s’e ka në plan që ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese çështjen.
“Në frymën e aktgjykimit ne po abstenojmë, por normalisht që ne nuk kemi as plan as interesim që ta dërgojmë këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ka dikush tjetër është çështje tjetër”.
Krasniqi tha se qëllimi i Vetëvendosjes dhe kreut të saj me bllokadën e re për postin e nënkryetarit është thellim dhe vazhdim i krizës./Express/