Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Ditën e Çlirimit ka shkuar në Prekaz me disa bashkëpartiakë të tij për të bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari ku tha se ka rrënjët liria.
“Edhe sot, më 12 Qershor, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, ne rikthehemi në Prekaz, sepse këtu, para së gjithash, i ka rrënjët liria. Nga këtu nisi zjarri i shpresës që ndriçoi rrugën tonë drejt çlirimit dhe pavarësisë”.
Krasniqi tha UÇK-ja, më shumë sesa një ushtri, ishte mishërimi i aspiratës shekullore të popullit tonë për liri dhe dinjitet, ndërsa shprehi mirënjohjen për miqtë ndërkombëtarë.
“Në këtë datë të shenjtë të historisë sonë, kujtojmë me nderim të thellë sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të çdo dëshmori që dha jetën për lirinë e këtij vendi”.
“Sot dhe asnjëherë tjetër, ne nuk harrojmë as miqtë tanë ndërkombëtarë – në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, të cilët qëndruan përkrah nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë. Përjetësisht mirënjohës për mbështetjen!”.
Krasniqi përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së, për të cilët tha se po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Këtë përvjetor, me shpresën e thellë se do të jetë i fundit që e shënojmë pa ta, e urojmë me zemër për çlirimtarët tanë që padrejtësisht po mbahen në Hagë: Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, Deputetin Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre. Lufta e tyre ishte e drejtë dhe e pastër, sepse ishte lufta dhe përpjekja e një populli të tërë, që për shumë breza sakrifikoi për liri. Gëzuar 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Kosovës! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Nderim çlirimtarëve!”.