Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se “apetitet pushtetore” po e pamundësojnë një marrëveshje ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Memli Krasniqi tha se Limaj nuk do të jetë “kurrë” kandidat për kryetar të Kuvendit, dhe se këtë ia ka thënë edhe atij personalisht.
“A e keni parë ju ndokund që është kandidat? E para, unë nuk besoj kurrë që do të jetë kandidat, sepse – një gjë të tillë ia kam thënë edhe atij personalisht – nuk e emëron, nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Kështu që për këtë temë besoj që s’kemi me pasë as arsye me e diskutu, përveç në mënyrë hipotetike”, tha ai.
Krasniqi tha se mungesa e transparencës nga Kurti dhe Limaj lidhur me diskutimet për gjetjen e një marrëveshjeje është shenjë që diçka ka ngecur.
“Paj, unë mendoj që mungesa e transparencës nga të dyja palët është një shenjë që diçka s’është në rregull. Besoj që ka të bëjë me apetitet pushtetore, se nuk ma merr mendja që janë duke e negociuar programin qeverisës se sa duhet rritur pagat e sa pensionet”, tha ai.
Krasniqi kujtoi se “edhe një marrëveshje eventuale mes Vetëvendosjes edhe Nismës nuk i ka 61 vota”.