Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur dje, ka vendosur për lirimin e 3,220 kutive të votimit që po hetohen nga organet e Drejtësisë, në mënyrë që këto kuti të përdoren për Zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vit.
Në këto kuti ndodhet materiali zgjedhor nga procese të ndryshme zgjedhore që përfshijnë periudhën 2014 – 2021.
U. D. Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së Besnik Buzhala tha se propozojnë që materiali të vendoset në thasë të posaçëm.
“Duke pasë parasysh hapësirën e kufizuar të depos së KQZ-së rekomandojmë që të vendosen në thasë të posaçëm, që kutitë të shfrytëzohen për Zgjedhjet lokale.” – deklaroi Buzhala.
Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ, ka kërkuar t’iu kërkohet organeve të Drejtësisë që t’i marrin ato materiale.
Ndërsa, Muharrem Nitaj, anëtar i AAK-së në KQZ, tha se duhet të ketë garanci se ku do të sistemohen ato materiale.
“Jam dakord dhe e mbështes këtë nismë, por kërkoj garanci se ku do të sistemohen këto materiale. Institucionet e Drejtësisë të marrin përgjegjësinë se çfarë ndodh me to.” – deklaroi Nitaj.
Alban Krasniqi, anëtar i VV-së në KQZ, ka thënë se duhet procedurë e qartë se si të lirohen kutitë dhe ku vendosen ato.
“Ato duhet të jenë të sigurta, me shirit lidhës e të mos lihen në tokë. Edhe aspektet teknike duhet të jenë pjesë e Vendimit. Duhet të sigurohemi që materialet të jenë të sigurta nga kushtet atmosferike: të brendshme e teknike. Duhet përkufizim më i qartë.” – deklaroi Krasniqi.