Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se mund të bëhet ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër, por ky operacion nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ, pasi sipas këtij institucioni, kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët/votuesit.
“Përmes KQZ-së, votuesi, nëse dëshiron, mund të ndryshojë Qendrën Votimit vetëm brenda komunës. Por, për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune, në Qendrën e Votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Më tej, sipas KQZ-së “çdo ndryshim i adresës së banimit deri më 29 gusht 2025, do të pasqyrohet në platformën e KQZ-së https://qv.kqz-ks.org dhe rrjedhimisht në Listën Votuese”.
Gjithashtu, KQZ-ja ka njoftuar se deri më 29 gusht 2025, KQZ do të vazhojë të ofrojë shërbimin për votuesit që dëshirojnë ta ndryshojnë Qendrën e Votimit brenda komunës.
Gjatë periudhës, e cila ka filluar më 28 qershor dhe do të përfundojë më 29 gusht, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë/verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre:
• përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose
• duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.
qv.kqz-ks.org