Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u miratua ridestinimi i buxhetit për zgjedhje.
Ky ridestinim u miratuar me 6 vota për, dy kundër dhe një abstenim.
Disa nga anëtarët e komisionit kanë akuzuar Sekretariatin se nuk ka bërë analizë të mirë dhe Qeverisë i janë kërkuar para më shumë se sa që duhet.
Anëtari i AAK-së në KQZ, Muharrem Nitaj, ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje pozitive e as negative nga Qeveria për buxhet.
Por sipas tij edhe komisioni, projeksionin e ri buxhetor e ka bërë me shumë vonesë.
“Tani komisioni e bën një projeksion tjetër buxhetor dhe e bën me shumë vonesë. Unë nuk i kontestoj analizat e tyre për ridestinim të mjeteve në shtylla të caktuara por konsideroj që nuk ka qenë punë e realizuar siç duhet”, ka thënë ai.
Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, ka thënë se kërkesat e tyre kanë qenë të vazhdueshme duke akuzuar sekretariatin e këtij institucioni se nuk ka bërë fare analizë.
“Fare nuk po e amnistoj kërkesën.. por me na pru me një situatë.. pse nuk keni bërë analizë… nuk është hera e parë që kemi çu fletëvotime… kemi ardhë në një situatë ku me sa pash tash vonë kreu i institucionet do të takohet e na bie informata. Analiza jonë për kërkim të buxhetit nuk ka qenë reale. Duhesh me ndërmarrë masa. Kemi ardhë në një situatë që po më duket qesharake”, ka thënë ai.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka thënë se çështjen e buxhetit e ka ngritur një muaj më herët.
“Unë çështjen e buxhetit e kam ngrit që një muaj dhe sa i përket kërkesës sonë që ja kem dërgu Qeverisë e për të cilën nuk kemi marrë asnjë përgjigje, nuk është marrë asnjë mund të na thonë se nuk kanë buxhet”, ka thënë ai. “Pse është dashtë me prit 30 ditë e me ardhë te ridestinimi i buxhetit. Kërkesa është mbi 6 milionë euro. 6 milionë euro ja keni huq në kërkesa a? Këtu duhet me dhanë përgjegjësi”, ka thënë ai.
Anëtari i VV-së, Alban Krasniqi, ka thënë se teprica apo buxheti të cilin nuk kanë mundur ta realizojnë gjatë vitit 2024 është rreth 2 milionë euro.
“Si rezultat diku 1 milionë e 735 mijë euro është shuma te mallrat e shërbime të cilat ne i kemi ndarë nga buxheti i këtij viti për shërbimet e 2024”, ka thënë ai.