Me debate të ashpra dhe akuza është përcjellur mbledhja e KQZ-së ku është vendosur për buxhetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Në fund, KQZ ka miratuar buxhetin në vlerën e 11.5 milionë eurove.
Në këtë buxhet është paraparë që diasporës që regjistrohet për të votuar përmes postës, t’iu dërgohen fletëvotimet në adresë të vendbanimit të tyre, të cilin e deklarojnë gjatë regjistrimit.
Përllogaritjet janë bërë duke parashikuar se për të votuar përmes postës mund të regjistrohen më shumë se 80 mijë votues nga diaspora.
Ky propozim amendament është mbështetur nga partitë ish-opozitare, por është kundërshtuar nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi.
Radoniqi dhe Vetëvendosje mbështetën propozimin e sekretariatit të KQZ-së që buxheti të miratohet në vlerën e 7.8 milionë eurove, ndërsa për votimin me postë jashtë vendit të gjendet ndonjë modalitet tjetër, ndryshe nga sa parashihet në rregulloren zgjedhore të KQZ-së për votimin jashtë Kosovës.