KQZ gati për balotazhin në 18 komuna - Gazeta Express
string(36) "kqz-gati-per-balotazhin-ne-18-komuna"

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 13:26

KQZ gati për balotazhin në 18 komuna

Lajme

Gazeta Express

06/11/2025 13:26

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë në fazën përmbyllëse të procesit përgatitor, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash që do të mbahen të dielën e 9 nëntorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të enjten për RTKLive se të shtunën fletëvotimet do të shpërndahen për në komunat ku mbahet ky raund zgjedhjesh.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 9 nëntor. Aktivitetet po zhvillohen sipas planit dhe para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor në të gjitha komunat ku do të votohet, përfshirë edhe fletëvotimet dhe pajisjet tjera të nevojshme për procesin e votimit”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Po sipas KQZ-së, votimi do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.