Në fillim të mbledhjes së sotme, KQZ mori vendim për certifikimin e rezultatave përfundimtare të zgjedhjeve për 37 Kuvendet Komunale, të mbajtura më 12 tetor 2025.
Ky vendim i KQZ-së vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna. Rezultatet u certifikuan për këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Prizren, Skënderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Në këtë vendim të KQZ-së, nuk përfshihet rezultati i zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Istogut, pasi Gjykata Supreme ka kthyer në PZAP për rivendosje ankesën e një kandidati për anëtar të Kuvendit të kësaj komune.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjve për Kryetarë të 18 komunave, të cilat u mbajtën më 9 nëntor 2025.
Ky vendim i KQZ-së vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për ditën e zgjedhjeve. Rezultatet u shpallën për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Pas shpalljes së rezultateve, duke filluar nga dita e premte (21 nëntor 2025, ora 16:00) subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtyre rezultateve në afat brenda 48 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.