KPP, “shuplakë” AKSHI-t për tenderin 6.2 mln euro të kamerave dhe skanerave në burgje: Anuloje dhe rishpalle me kritere të reja - Gazeta Express
string(123) "kpp-shuplake-akshi-t-per-tenderin-6-2-mln-euro-te-kamerave-dhe-skanerave-ne-burgje-anuloje-dhe-rishpalle-me-kritere-te-reja"

Shqiperi

Gazeta Express

21/08/2025 11:25

KPP, “shuplakë” AKSHI-t për tenderin 6.2 mln euro të kamerave dhe skanerave në burgje: Anuloje dhe rishpalle me kritere të reja

Shqiperi

Gazeta Express

21/08/2025 11:25

Komisioni i Prokurimit Publik ka urdhëruar anulimin dhe rishpalljen me kushte të tjera të tenderit 6.2 milionë euro të shpallur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për mirëmbajtjen e pajisjeve të sigurisë në burgjet e vendit.

Në vendimin e fundit të parë nga Skyweb.al, KPP konstaton se AKSHI e ka zhvilluar procedurën në shkelje të ligjit, pasi nuk është argumentuar pse kontrata është bërë në një lot të vetëm.

Në këtë vendim, gjykata e prokurimeve, KPP, urdhëron që procedura të ndarë në lote dhe të rishpallet me kritere të reja, në mënyrë që të garantohet konkurrencë e barabartë mes operatorëve.

Vendimi vjen pas ankesës së kompanisë AEES sh.p.k., e cila kishte ngritur fillimisht pretendime për mungesë transparence dhe përjashtim të operatorëve të tjerë.

Siç ka raportuar më herët, Skyweb.al, AEES kërkoi ndarjen në lote dhe akuzoi AKSHI-n për ngurrim në rishikimin e kushteve, pavarësisht se KPP kishte urdhëruar rishikimin e kritereve.

Në ankesë, AEES theksonte se kërkesat për certifikata specifike të lëshuara vetëm nga prodhuesit e skanerëve Smiths Detection apo të sistemeve video (VMS) ishin në vetvete kritere përjashtuese, që praktikisht favorizonin vetëm një bashkim operatorësh. Bëhet fjalë për Advanced Business Solutions e Gerond Meçes dhe AlbaScan e Elton Jorgjis, të shoqëruar nga partnerë të tjerë, të cilët sipas ankesës kontrollonin segmentet kryesore të pajisjeve të sigurisë.

Dyshimet për favorizim marrin peshë edhe më të madhe për shkak të historikut problematik të këtyre kontratave.

Në dhjetor 2023, në burgun e Peqinit, i dënuari përjetë Sokol Mjacaj arriti të fuste armë në qeli, duke vrarë një të burgosur dhe plagosur një tjetër.

Hetimet zbuluan se kamerat nuk funksiononin dhe skanerët ishin jashtë përdorimi, shërbime që menaxhoheshin nga kompania AlbaScan.

Vetëm pak javë më pas, një tentativë arratisjeje në burgun e Fierit nxori sërish në pah kamera të fikura, mungesë alarmesh dhe mjete të futura pa kontroll në qeli.

Pavarësisht dorëheqjes së ish-drejtorit të Burgjeve Admir Braja dhe emërimit të Klevis Qoses, kontratat vijojnë të mbeten në duart e të njëjtave kompani të akuzuara për shërbime të dështuara.

Me urdhrin e fundit të KPP-së, tenderi duhet të rishpallet me kushte të reja dhe ndarje në lote, duke u konsideruar tashmë një provë e fortë për transparencën dhe integritetin e prokurimeve publike në fushën e sigurisë./skyweb.al