Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka lëshuar një komunikatë për mbledhjen e sotme ku u votua për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
KPK thotë se pasi u propozua shkarkimi i Kelmendit disa anëtarë kanë lëshuar takimin dhe pas një ndërprerje janë kthyer kryesuesi Ardian Hajdaraj dhe disa anëtarë tjerë ku kanë votuar për shkarkimin e Kelmendit.
Në emër të Kelmendit, është emëruar Agron Qalaj.
“Nën udhëheqjen e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Ardian Hajdaraj, është mbajtur takimi i rregullt i Këshillit, i 278-ti me radhë. Në hapje të takimit, Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj. Jehona Grantolli, paraqiti një propozim për procedimin me votim për shkarkimin nga detyra të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi. Meqenëse, ky propozim u kundërshtua nga disa anëtarë të Këshillit, të njëjtit e lëshuan takimin në shenjë mospajtimi. Pas një ndërprerjeje të shkurtër, Kryesuesi Hajdaraj, së bashku me anëtarët tjerë të pranishëm të KPK-së, vazhduan takimin, me të vetmen pikë të rendit të ditës: shqyrtimin e propozimit për shkarkimin nga detyra të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Kelmendi, ku u miratua shkarkimi i tij. Në vijim, Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim për caktimin e z. Agron Qalaj, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, në detyrën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.”