Kosovarët i frikësohen ndarjes territoriale, vetëm 35% janë pro taksës - Gazeta Express
string(68) "kosovaret-i-frikesohen-ndarjes-territoriale-vetem-35-jane-pro-takses"

Kosovarët i frikësohen ndarjes territoriale, vetëm 35% janë pro taksës

Gazeta Express

14/02/2020 12:04

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) kanë organizuar konferencën “Faza përfundimtare: Rifillimi i Dialogut Kosovë-Serbi”, ku u publikuan gjetjet e raportit Barometrit Kosovar të Sigurisë – Edicioni special mbi Dialogun Kosovë-Serbisë.

Aty u tha se korrupsioni perceptohet si rreziku më i lartë ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës. Papunësia renditet në vendin e dytë, ndërkaq krimi i organizuar renditet në vendin e tretë ndër rreziqet ndaj sigurisë kombëtare.

Lexo Edhe:

Plator Avdiu hulumtues në QKSS, tha se në bazë të hulumtimit, del se korrupsioni, papunësia dhe Serbia janë rrezikuesit më të mëdhenj në Kosovë.

Sipas tij, 80 për qind e shqiptarëve mendojmë se Kosova rrezikon ndarjen territoriale.

“Qytetarët janë pyetur me atë se çfarë e kërcënon sigurinë kombëtare. Korrupsioni, papunësia dhe Serbia janë rrezikuesit më të mëdhenj të sigurisë kombëtare sipas të anketuarve”.

“Qytetarët ende mendojnë se ndarja e Kosovës dhe asociacioni janë ndër rrezikuarit tjerë të sigurisë kombëtare. 80 për qind e shqiptarëve ende mendojmë se Kosova rrezikon ndarjen territoriale. Rrezik tjetër sipas qytetarëve është edhe asociacioni i komunave serbe”, tha ai.

Sa i përket taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake të anketuarit kanë qëndrime të ndryshme. Disa prej tyre mendojnë se duhet të hiqet, e disa prej tyre kërkojnë të mbetet në fuqi taksa.

“35 për qind e tyre mendojnë se taksa duhet të mbesë në fuqi, ndërsa 33 për qind e të anketuarve mendojnë se taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Ndërkaq pjesa tjetër mendojnë se tarifat duhet të hiqen në tërësi”, tha Avdiu.

Sa i përket dialogut, Avdiu tha se mbi 50 për qind e të anketuarve mendojnë se dialogu duhet të rifillojë.

Ai tha se kishte të anketuar që mendojnë se dialogu duhet të kushtëzohet me njohje reciproke.

Deputetja e Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se duke parë rreziqet në Kosovë siç janë korrupsioni dhe papunësia, fitorja e VV-së nuk ishte e rastësishme.

“Nëse fillojmë me prezantimin e raportit e shohim se shumica e të anketuarve mendojnë se rreziku potencial është korrupsioni dhe papunësia. Qytetarët e kanë këtë perceptim sepse e përjetojnë çdo ditë në punë në shkollë, çdo ditë të jetës së tyre”.