Sot, në Kosovë dominon një gjuhë e cekët dhe krejt sipërfaqësore, që ka shtrirë pushtetin mizor dhe po e gërryen një shoqëri, në emër të disa parullave të gërditshme, për gjoja dinjitet, integritet, sovranitet e formulime të tilla bajate, që të kujtojnë ideologjinë e përdalë komuniste, që njerëzimit i ka shkaktuar dhunë, brutalitet, varfri dhe tragjedi.
Shkruan: Ndue Ukaj
Hyrja në civilizim është shumë e vështirë, kurse rënia në barbari shumë e lehtë, thotë diku shkrimtari mendjendritur, Mario Vargas Llosa, i cili, kur thoshte këtë, përmende pikërisht krizat e vendeve tona.
Kosova sot ka humbë esencën e identitetit të vet, tolerancën, si dhe përcaktimin natyral për orientim perëndimor, duke i zëvendësuar këto vlera sublime, me fanatizmin si mendësi politike dhe injorancën neveritëse, si përmbajtje politike.
Dhe nuk ka më tragjike se të shish vendin tënd si zymtohet, përditë, si vlerat kthehen kryengul dhe kudo lulëzon egërsia, si ajri e smogu i vjeshtës së rëndë.
Se vërtetë, ajri më i rëndë për një organizëm njerëzor, pra për një shoqëri, janë idetë e këqija, që e shkrumbojnë atë, siç kanë filluar ta shkrumbojnë të tashmën e Kosovës në emër të dokrrave patriotike.
Dhe tani kur jemi afër fundvitit 2025, dhe kthejmë kryet prapa, e shohim si në dritë të diellit se ky vit, në historinë e Kosovës, do të mbahet mend, si vit i egërsisë dhe primitivizmit, pra vit i mbrapshtë, në kuptimin më negativ të fjalës. Një vit, në të cilin, Kosova u kthye kryengul, e në cilin vit, turmat e tërbuara politike, ngjashëm me ato çetat e banditëve të pellgut otoman të Shqipërisë së pas pavarësisë së 1912, luftonin me mish e me shpirt, ta shkëputnin edhe njëherë Shqipërinë prej Europës.
Këtë vit kam parë e përjetuar një energji të tillë, kudo, dhe një heshtje të frikshme përballë këtij hovi shkatërrimtar.
Pra, ky vit i mbrapshtë, në historinë e Kosovës, shënon vitin e ngadhënjimin të frikshëm të mendësisë jo perëndimore, mendësi kjo e fermentuar nga trashëgimitë otomane e komuniste, që urrejnë vlerat sublime perëndimore, mbi bazë të cilave është formuar shteti i Kosovës.
Po, këtë vit, vendi ynë është larguar prej Europës, dhe jo vetëm prej saj, këtë vit, vendi ynë e ka humbur esencën e identitetit të vet, dhe jam i bindur se duhet vite e vite për t’u kthyer në normalitet.
Dhe më e keqja, ky vit, na kujton sa lehtë shoqëritë rrëshqasin në barbari, kur njerëzit nisin të abuzojnë me lirinë e tyre, duke madhëruar udhëheqës koti e duke u përkul përpara tyre si përpara të shenjtëve.
Po, është tragjike ta kuptosh se vendin tënd askush në botën normale s’e kupton, ta shish të vetmuar, sepse ai sjelljet i ka të këqija e të pa emancipuara – sepse, mes deklarimeve epshmëdhaja të udhëheqësve tanë për shkëlqim ekonomik e vlera demokratike dhe realiteteve jo demokratike e ekonomike, është një humnerë, po, një humnerë që nuk mund të kalohet lehtë.
Kosova, e ka shkatërruar motorin kryesor të demokracisë, dialogun, prandaj kudo shihet një egërsi e paparë.
Më qartë, këtë motor e ka shkatërrur pushteti fanatik.
Dhe një shoqëri që nuk di të bëjë dialog, rrezikon të bëhet barbare, dhe për këtë, ka prova universale e lokale, sa të duam. Mjafton ta thërrasim pak mendjen e ta futim në punë logjikën.
Ka kohë, që kur e shoh Kosovën time të ngulfatur nga injoranca e keqdashësia, e shosh në tragjizmin e fjalisë së Llosës, e shoh të humbur, një vend që ka humbë esencën e identitetit të vet, politik, por jo vetëm, përditë e më shumë më duket se po e humb edhe esencën e identitetit të vet civilizues, duke u egërsuar, dhe e ndiej frikshëm paralajmërimin e Llosas tek shoh sa pak civilizim ka mbetë, këtu, ku egërsia shfaq fytyrën dhe kthetra e saj të shëmtuara, e shoh përditë, këtu, ku një harbim i frikshëm marshon përpara, një harbim që ushqehet me instinktet bazike të turmave të nxitura nga urrejtja, dhe të një pseudo elite të shurdhuar e memece, që strukët, ose që emocionet e turmave i mirëkupton, i lejon ose i kthen në standarde shoqërore.
Kjo është tragjike dhe shenjë paralajmëruese rreziku, për një rënie në barbari.
Sot, në Kosovë dominon një gjuhë e cekët dhe krejt sipërfaqësore, që ka shtrirë pushtetin mizor dhe po e gërryen një shoqëri, në emër të disa parullave të gërditshme, për gjoja dinjitet, integritet, sovranitet e formulime të tilla bajate, që të kujtojnë ideologjinë e përdalë komuniste, që njerëzimit i ka shkaktuar dhunë, brutalitet, varfri dhe tragjedi.
Thjesht, po ta kujtonim sot Faik Konicën dhe po ta aktualizonim pyetjen e tij të frikshme “si na sheh Europa?”, nuk do to të mund t’i hiqnim gati asnjë fjalë asaj që thoshte ky erudit para më shumë se një shekulli, po, Europa sot na shesh si një pështjelli të paqytetëruar, ku sundon injoranca e arroganca, e ku, mes retorikës demokratike dhe sjelljeve jo demokratike, është një humnerë.
Dhe në këtë fundvit, ngulfatës, me smog mendor e politik, po nuk i hapëm dritaret për ajrosje, dhe po nuk u ngimë me oksigjenin e demokracisë perëndimore, druaj se viti i tjetër do të jetë realizim i kobshëm i paralajmërimit të Llosës.
Fundja, ne e kemi mësuar nga historia dhe e dimë se krimet dhe padrejtësitë më të mëdha në historinë njerëzore kurrë nuk janë kryer nga bandat ordinere, por nga bandat politike, të cilat janë të egra, të korruptuara, rrënimtare e përçarëse në të gjitha pikëpamjet. Prandaj është koha ta pastrojmë shikimin, e të shohim ku jemi katandisë dhe çfarë mendësie e shëmtuar e udhëheq vendin tonë.