Sot, më 3 maj, Kosova shënon plot nëntë vite që nga pranimi i saj në UEFA, moment historik që i hapi derën futbollit kosovar drejt skenës ndërkombëtare dhe që u kthye në një simbol krenarie për gjithë vendin.
Në vitin 2016, në Kongresin e mbajtur në Budapest, anëtarësimi i Kosovës me 28 vota pro dhe 24 kundër shënoi fundin e një pritjeje të gjatë dhe fillimin e një epoke të re për sportin më të dashur në vend.
Që nga ajo ditë, futbolli kosovar ka kaluar një rrugëtim plot emocion dhe sfida – e gjitha kjo falë një njeriu, i cili ishte legjenda e futbollit, Fadil Vokrri. Ai qe arsyeja kryesore që Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në shtëpinë e futbollin europian.
Kombëtarja e Kosovës arriti të fitojë zemrat e shumë tifozëve evropianë falë lojës së guximshme dhe talenteve të reja që spikatën në arenën ndërkombëtare.
Emra si Milot Rashica, Amir Rrahmani, Vedat Muriqi apo Arijanet Murić janë bërë krenaria e kombit, duke u bërë ambasadorë të Kosovës në fushat më prestigjioze të Europës.
Përveç sukseseve të ekipit kombëtar, pranimi në UEFA i hapi rrugën edhe zhvillimit të klubeve kosovare, që tashmë garojnë rregullisht në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës, duke sjellë përvoja të vlefshme dhe ngritur standardet e futbollit vendas.
Për Kosovën, anëtarësimi në UEFA nuk ka qenë vetëm një fitore sportive, por edhe një fitore diplomatike, që ka ndihmuar në rritjen e njohjes ndërkombëtare të shtetit më të ri të Evropës.
Tashmë, ndërsa shënojmë këtë 9-vjetor, shpresat janë të mëdha që vitet e ardhshme do të sjellin edhe më shumë suksese, kualifikime historike dhe momente që do të shkruajnë kapituj të rinj në historinë e futbollit kosovar./GazetaExpress/